Google search engine
Home Politike Drejtesi Të gjithë fatin e Xhaferllarit/ Vetingu nxjerr nga sistemi i drejtësisë inspektorët...

Të gjithë fatin e Xhaferllarit/ Vetingu nxjerr nga sistemi i drejtësisë inspektorët e KLD, KPK

0
430

Inspektorët e ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë duket se nuk do të jenë më pjesë e sistemit. KLD do të mbahet mend si gangrena e aferave në gjyqësor dhe ata që kanë lejuar aferat në drejtësi janë padyshim inspektorët. Në KLD, ndodhej Inspektorati i Lartë i KLD që drejtohej nga Marsida Xhaferllari dhe pjesë e tij ishin dhjetëra inspektorë që duhet të zbulonin shkeljet e gjyqtarëve. Shumë prej tyre kërkojnë që të emërohen gjyqtarë apo të bëhen pjesë e ILD, por duket se do e kenë të vështirë. Pas vendimit për Marsida Xhaferllarin ku Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shprehej se nuk ka status magjistrati, edhe shumë inspektorë të KLD po nxirren jashtë sistemit të drejtësisë. Fatin e Xhaferllarit e ka pasur edhe inspektori i ish-KLD, Piro Samara. Për këtë të fundit, KPK vendosi që të mos nisë procesin e vetingut, me argumentin se nuk zotëron statusin e magjistratit, duke e nxjerrë jashtë sistemit të drejtësisë. Vendimi u mor nga Pamela Qirko, e cila ishte kryesuese, anëtarja Etleda Çiftja dhe me relator Lulzim Hamitaj. “Trupi gjykues i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, mbështetur në nenet 14 e 57 të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, nenin 95 të Kodit të Procedurave Administrative dhe nenin 64, germa c) e ligjit nr. 96/2016, vendosi: Të deklarojë se procesi i rivlerësimit kalimtar për z. Piro Samara, me funksion Inspektor pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë nuk duhet të nisë ose duhet të konsiderohet i pushuar; Ky vendim u njoftohet z. Piro Samara, Komisionerëve Publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtarë; Ankimi kundër këtij vendimi bëhet pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga z. Piro Samara dhe/ose Komisioneri Publik, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të tij. Ankimi depozitohet pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit”, thuhet në vendimin e KPK.

Ja arsyet e ndërprerjes së vetingut

Në raportin e KPK jepen edhe arsyet se përse u ndërpre procesi i vetingut për inspektorin e ish-KLD, Piro Samara. Për këtë të fundit, KPK ka konstatuar se nuk ka status magjistrati dhe për këtë arsye nuk mund të kalojë në fazën e rivlerësimit për 3 kriteret. “Neni 179/b i Kushtetutës parashikon se procesit të rivlerësimit i nënshtrohen ex officio të gjithë gjyqtarët, duke përfshirë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, prokurorët, këshilltarët, kryeinspektorin dhe inspektorët e KLD-së; Neni 64, pika c) e ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” parashikon se një nga arsyet për mbarimin e statusit të gjyqtarit është mbushja e moshës për pension; Dispozitat kalimtare, neni 160, germa ë) e ligjit nr. 96/2016 parashikon se një nga kompetencat e Këshillit të Lartë të Drejtësisë deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, është vërtetimi i ndërprerjes së emërimit, në rast dorëheqjeje dhe arritjes së moshës së pensionit, ku për analogji si shkak konsiderohet edhe mospatja apo humbja e statusit të magjistratit; Për sa më lart, Komisioni konstaton se nga momenti që z. Piro Samara nuk ka statusin e magjistratit nuk mund të jetë një nga subjektet e rivlerësimit, që i nënshtrohen procesit të rivlerësimit ex officio”, thuhet në vendimin e KPK.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here