Google search engine
Home Politike “Njollë e zezë në ISKK”/ Braho “gozhdon” Çelo Hoxhën në Kuvend

“Njollë e zezë në ISKK”/ Braho “gozhdon” Çelo Hoxhën në Kuvend

0
366

Vijojnë debatet e deputetëve të mazhorancës me Institutin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Kreu i këtij institucioni Çelo Hoxha ishte i pranishëm në Komisionin e Ligjeve ku raportoi mbi veprimtarinë vjetore të institucionit që ai drejton. Gjatë raportimit të tij, ai tha se për krimet e kryera gjatë viteve 1941-1945 ka një informacion të përgjithshëm, duke theksuar se nuk janë diskutuar për dhunimin e të drejtave të njeriut apo për persekutimin. “E thënë ndryshe ndërsa tashmë ekziston deri diku një lloj informacioni i përgjithshëm në lidhje me krimet e kryera dhe dhunimin e të drejtave të njeriut në shtetin totalitar, pak është diskutuar për termat ligjore, kontekstin ligjor përtej akteve të dhunës, persekutimit, dhe gjithë kuadri ligjor që shoqëroi procesin e dehumanizimit nën diktaturë. Cilat janë fazat e evoluimit të ligjit socialist; si ia doli socializmi shtetëror të vinte kontroll të përgjithshëm mbi çdo sferë të jetës shoqërore në shërbim të një qëllimi të vetëm”, u shpreh Çelo Hoxha.

Deputetët e PS “gozhdojnë” Çelo Hoxhën

Por deputetët e Partisë Socialiste Adnor Shameti dhe Spartak Braho kanë “gozhduar” kreun e ISKK, Çelo Hoxha. Shameti, i cili ishte edhe relatori u shpreh se ISKK ka pasur një sërë problemesh gjatë vitit që lamë pas, ku theksoi se nuk kanë bërë publike fondet që kanë marrë dhe mënyrën se si i menaxhojnë. Po ashtu, ai i kërkoi Hoxhës, që të përmbushë edhe rekomandimet që i janë dhënë nga KLSH. “Fondi vjetor nuk është shoqëruar me miratimin e bordit dhe nuk i është bërë me dije Këshillit të Ministrave. Në raport nuk janë shprehur në lidhje me ankesat kundër vendimeve të Institutit si dhe vendimmarrjen e bordit lidhur me to, si dhe nuk janë përmendur burimet e të ardhurave të institutit apo mënyra e përdorimit të tyre. Ne rekomandojmë që ISKK për vitin 2020 të përmirësojë punën në këto drejtime. Në funksion të transparencës të bëjë publike faqen online të institucionit dhe në raportin vjetor që paraqet në Kuvendin e Shqipërisë të përmbushë detyrat që i ngarkon ligji. Të përditësojë ndryshimet e brendshme në faqen online në përmbushje të rekomandimeve të KLSH. Po ashtu, të publikojë në faqen online të ardhurat e institutit si dhe përdorimin e tyre”, tha Shameti.

Reagon Braho

Deputeti Spartak Braho ka qenë mjaft i ashpër në reagimin e tij, duke e akuzuar Çelo Hoxhën se ka ardhur në krye të ISKK në shkelje të ligjit dhe sipas tij me votim të falsifikuar. Në fjalën e tij gjatë Komisionit të Ligjeve, Braho tha se kreu i ISKK është një person tërësisht i politizuar, duke shtuar se shumë partizanë që luftuan për liri i ka cilësuar si kriminelë të luftës dhe kjo sipas Brahos është një fakt shumë i rëndë. “Zoti Hoxha vjen në krye të këtij instituti pas largimit të zotit Tufa. Mendoj se zoti Hoxha ka ardhur në drejtimin e institutit në shkelje të procedurave, rregullores me një votim tërësisht antiligjor dhe të falsifikuar, sepse është aplikuar një ndryshim i papranueshëm. Këtë e ka pranuar vetë zoti Uran Butka si përgjegjës i bordit, sepse është aplikuar një votim online dhe nuk janë marrë në konsideratë kandidaturat e tjera. Për këtë procedurë të ndjekur duhet të bëhen hetimet dhe verifikimet përkatëse. Zoti Hoxha është një person që nuk i plotëson kriteret për të drejtuar këtë institut dhe nuk duhet të anashkalohet fakti që zoti Hoxha është një njeri tërësisht i politizuar, i cili shumë komunistë i ka cilësuar si kriminelë. Ky është një fakt shumë i rëndë. Ky është një turp për të dhe një njollë e zezë për institutin”, tha Braho.

Në vitin 2014, Çelo Hoxha ka kryer një përmbledhje arkivore prej së cilës ka nxjerrë si përfundim se drejtues kryesorë të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare kanë kryer krime lufte në periudhën 1941-1945. Por Braho e akuzoi ashpër. “Rreth 270 drejtues të kësaj lufte, një pjesë prej të cilëve janë dëshmorë, i ka konsideruar kriminelë. Nuk e di nëse i qëndron ende kësaj zoti Hoxha, por ky është një turp për të, njëkohësisht një njollë e rëndë në veprimtarinë e këtij instituti”, u shpreh deputeti i PS-së.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here