Pas gjobave që morën për thyerje të rregullave kundër përhapjes së koronavirusit, tashmë për kryetarin e PD-së, Lulzim Basha dhe kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi ka nisur edhe hetimi në gjendje të lirë, për pjesëmarrje në protestën e djeshme për Teatrin.
Së bashku me ta janë proceduar në gjendje të lirë edhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe sekretari për çështjet ligjore Çlirim Gjata.
Gjithashtu kanë nisur procedimet edhe për artistët Robert Budinën, Neritan Liçajn, Adriana Kalaja, Artan Manushaqa dhe Arkimed Lushaj, i njohur ndryshe si Stresi.
“Procedimi ndaj tyre nisi pasi, më datë 18 maj 2020, rreth orës 16:30, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetetente, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, aq më tepër në situatë të jashtëzakonshme në kohë pandemie, ku ndalohen me ligj grumbullimet apo tubimet”, thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës.