Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për mediat pas mbledhjes që kishte me aleatët dhe ambasadorët në selinë blu.
Basha reagoi edhe për Reformën Zgjedhore, ku theksoj se marrja pjesë nuk varet nga ata por nga Qeveria.
“Ne do bëjmë gjithcka që kemi në dorë për të garantuar një proces, ku shqiptarët të mund të shprehin vullnetin e tyre të votës. Zgjedhjet e lira e të ndershme janë beteja jonë. Ne nuk mund të jemi pjesë e një procesi fasadë. Nuk varet nga ne rikthimi në tryezën e Reformës Zgjedhore. Veprat e javës së kaluar treguan se kjo qeveri nuk ka asnjë vullnet për zgjedhje të lira e të ndershme. Ajo është përgjegjëse për pengimin e reformës. Ne do bëjmë gjithcka për t’iu dhënë shqiptarëve kushte më të mira për zgjedhje”, deklaroi Basha.
Gjithashtu kreu i PD-së u pyet edhe nëse do jetë nesër në protestën e thirrur nga Aleanca, kryetari i PD-së u shpreh i gatshëm se do jetë në mbështetje të tyre.
“Opozita do të jetë në çdo kohë në mbështetje të protestës. Thirrjet në protestë kanë qenë shumë të qarta, thirrje kundër Veliajt dhe kundër Edi Ramës.
Siç shkatërroj Teatrin ka shkatërruar gjithë ekonominë e shqiptarëve, ka shkatërruar dhe vazhdon të shkatërroj gjithçka”, u shpreh Basha.





































