Gjykata e Lezhës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Aleksandër Përdodën, autor i dyshuar i vrasjes së dyfishtë në fshatin Lalm i Vjetër.
Përdoda 40 vjec akuzohet se ka vrarë rapsodin e njohur Kol Murrani dhe Preng Simonin. Përdoda mësohet se është person me precedent kriminal në fushën e krimeve ndaj jetës ndaj personit.
Në lidhje me vrasjen e dyfishtë në Lezhë, policia ka shpallur në kërkim edhe vëllanë e tij, Edmond Përdoda. Ky i fundit dyshohet se është përpjekur të fshehë provat e krimit.
Kush është Aleksandër Përdoda
Autori i vrasjes së dyfishtë të ndodhur në Lezhë rezulton person me precedentë kriminalë dhe madje, i liruar nga burgu. Në nëntor 2019, 40-vjeçari Aleksandër Perdodaj, është vënë në prangat e policisë së Lezhës, pasi ishte shpallur në kërkim.
Policia ka thene asokohe se Aleksander Perdoda banues në Kolsh të Lezhës, akuzohej se në muajin tetor kishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të M.F i cili udhëtonte me makinën e tij.
Arrestimi është bërë nga policia rrugore teksa lëvizte me makinë në aksin e vjetër Zejmen-Lezhë. Pas prangosjes, u tha se Aleksander Perdoda do të përballej me akuzat për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbatja pa leje”, por nuk dihet si ka ndodhur që ka dalë nga burgu dhe tashmë ka kryer vrasjen e dy personave, Preng Simoni dhe Kol Murrani.
Aleksander Perdoda, autori i vrasjes së dyfishtë në fshatin Lalm të Lezhës dyshohet se është person problematik edhe në lidhje me kultivimin e drogës.







































