Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla deklaroi se vizita e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Shqipëri, nuk ka qenë në bazë të protokollit dhe se nëse ai ka qenë i shoqëruar nga deputeti i Kosovës, Behgjet Pacolli rrugës së kthimit nga Shqipëria, është i detyruar t’i nënshtrohet rregullave të karantinimit.
“Mbrëmë vonë jam informuar se presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka kaluar kufirin rreth orës 18:00 dhe është kthyer në ora 19:00. Presidenti është ulur përpara, përkundër rregullave të sigurisë, ndërsa prapa nuk kanë mundur të shohin nëse është dikush, për shkak të xhamave të zinj, ndërsa është shoqëruar me vetëm një veturë në të cilën ka qenë vetëm shoferi”, tha Sveçla.
“Për sqarim në bazë të ligjit për protokollin shtetëror çdo vizitë e presidentit qoftë zyrtare apo private, jashtë shtetit duhet të komunikohet te protokolli shtetëror i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Tashmë ëshë konfirmuar se protokolli i shtetit përkundër dispozitave ligjore në fuqi nuk është njoftuar në lidhje me vizitën e presidentit në Republikën e Shqipërisë. Deri më tani nuk kemi konfirmuar se z. Pacolli ka qenë në shoqëri të presidentit. Për më tepër, shkelja e vendimeve të hartuara nga organi kompetent, në këtë rast Ministria e Shëndetësisë, me qëllim të kontrollimit të pandemisë është vepër penale e përshkruar me nenin 250 të Kodit Penal”, tha Sveçla gjatë konferencës për shtyp.
Sveçla deklaroi se nëse presidenti i vendit ka qenë në kontakt me Pacollin, atëherë duhet të hyjë në karantinë, ose vetizolim.
“Nëse presidenti ka qenë i shoqëruar nga zoti Pacolli, detyrohet që t’i nënshtrohen rregullave të karantinimit, ose vetizolimit në linjë me historikun e shëndetit. Nisur nga kjo nëse me të vërtetë deputeti, Behgjet Pacolli ka qenë në veturën e presidentit Thaçi, atëherë ai me vetëdije të plotë ka shkelur rregullat për karantinim ose vetizolim për të cilat ishte paralajmëruar edhe para nisjes për Kosovë”, tha Sveçla.
“Ne i kërkojmë presidentit të vendit që të përgjigjet se pse ka vendosur të bëj tejkalimin e protokollit shtetëror, ndërsa zotit Pacollit të lajmërojë menjëherë se ku është, përndryshe nëse shfaqet brenda territorit të Kosovës, në ndonjë moment të caktuar, atëherë policia e Kosovës është e detyruar të ndërmarrë masat me legjislacionin në fuqi”, tha Sveçla. /Telegrafi/











































