Gazetari investigativ Artan Hoxha thotë se atentati ndaj dy vëllezërve në Durrës pasditen e sotme ishte një atentat tipik mafioz.
“Është një atentat tipik mafioz. Në të gjitha rastet kur është bërë një atentat i ngjashëm në Durrës, nuk janë zbuluar autorët. Atentati ndaj Edison Harizaj, një atentat në Shkozet kur u qëllua me kallashnikov ndaj një Range Roveri. Atentati ndaj prokurorit Ndoja dhe atentati i sotëm”, u shpreh ai.
Hoxha tha në emisionin Opinion se dy viktimat janë ndjekur për 1 kilometër që nga servisi i tyre dhe sapo kanë mbërritur në Shënavlash pranë tregut të makinave, janë qëlluar me breshëri kallashnikovi nga dy drejtime.
“Viktimat fillimisht janë ndjekur nga servisi i tyre për një distancë për një kilometër. Në momentin që kanë mbërritur në tregun e makinave në Shënavlash janë qëlluar nga dy drejtime. Në vendngjarje janë gjetur 55 plumba. Pra janë goditur në dy drejtime, njëri ka qëlluar njërin prej vëllezërve dhe tjetri vëllanë tjetër”, u shpreh gazetari Artan Hoxha.
Kujtojmë se, qyteti i Durrësit u trondit pasditen e sotme nga ekzekutimi me breshëri plumbash i dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia, në zonën e Shënavlashit pranë tregut të shitjes së makinave.









































