Italia është shprehur tepër mirënjohëse për ndihmën që i ka ofruar Shqipëria, duke dërguar ekipin e dytë të mjekëve dhe të infermierëve, për të ndihmuar në spitale bluzat e bardha në vijën e parë të frontit në luftën kundër koronavirusit.
Ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio gjeti sërish rastin për të falënderuar Shqipërinë dhe kryeministrin Edi Rama, përmes një postimi në “Facebook”, ku publikoi dhe disa foto nga mbërritja e tyre në aeroportin “Fiumicino”.
“Falënderoj kryeministrin Edi Rama, qeverinë shqiptare dhe popullin shqiptar për demonstrimin e dytë konkret të miqësisë që i është drejtuar Italisë. 60 infermierë, në mbështetje të bluzave tona të bardha, në linjën e parë të zjarrit prej 40 ditësh në luftën kundër koronavirusit. Jam krenar për ndihmën që Italia po merr nga vende të ndryshme të botës”, -shkroi Di Maio në “Facebook”.










































