Situata politike në Kosovë vijon të jetë e trazuar dhe e paqëndrueshme. Që pas votimit të mocionit për shkarkimin e Albin Kurtit si kryeministër i Kosovës, ka pasur reagime nga më të ndryshmet në skemën politike.
Ditën e sotme reagoi ish-zëvendëskryeministri Avdullah Hoti i LDK, i cili komentoi tryezën e thirrur nga kryeministri në detyrë, me partitë politike për situatën me COVID-19.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hoti ka refuzuar kërkesën e Kurtit, duke thënë se qeveria e tij i ka ditët e numëruara dhe se, dy herë e ka shkelur Kushtetutën. Duke iu referuar masave të marra nga qeveria, Hoti tha se nuk ka asnjë konsultim me grupet e interesit. “Vlerësoj se nuk ka nevojë për tryezë politike me një qeveri që i ka ditët e numëruara, e rrjedhimisht nuk mund të marrë kurrfarë zotimesh, dhe që dy herë radhazi e shkel Kushtetutën. Masat për kufizim të lëvizjes janë marrë pa u konsultuar me askënd. Sa unë isha në qeveri, personalisht i pata kërkuar të mos e nënshkruante atë vendim, sepse kishim dyshime për shkelje kushtetuese. Edhe pas aktgjykimit te Gjykatës Kushtetuese, ky ndërmori masa ne kundërshtim me atë aktgjykim si dhe masa për mbështetje për biznese prapë pa konsultim me askënd”, tha Hoti.
Më tej ish kryeministri i Kosovës theksoi se vendimet e qeverisë imponoheshin nga Kurti pa asnjë konsultim paraprak, duke i quajtur ministrat “makineri votimi”. “Në fakt, plot vendime të qeverisë imponoheshin nga ai pa asnjë konsultim paraprak, duke i kthyer ministrat në makineri votimi. Pak humor, por është fakt se disa herë me parë kanë ardhur ministrat në takimin e qeverisë e mandej iu është shpërndarë agjenda e takimit. Prandaj, edhe kjo tryeze që ka ftuar nuk shërben për asgjë. Sepse ai nuk është i gatshëm të punojë me të tjerët, siç u pa në 52 ditë të qeverisjes me qëndrimin e tij autoritar dhe vendimet arbitrare, që quan në ndërprerjen e bashkëpunimit me LDK dhe shkarkimin e tij”, tha ai.
Sipas tij, sa më parë duhet të themelohet një Qeveri e re që nuk e shkel kushtetutën, që është profesionale, komunikuese me të gjithë, me mentalitet demokratik.
“Tani, në vend që ai vetë të kërkojë që sa me parë të dorëzojë detyrën, pasi 82 deputetë ia kanë hequr besimin që të qeverisë me vendin, ai bënë lloj lloj maniverzime procedurale për të qëndruar në pushtet. Prandaj, duhet të themelohet sa me parë një Qeveri e re që nuk e shkel kushtetutën, që është profesionale, komunikuese me të gjithë, me mentalitet demokratik, që ndërton konsensus shoqëror, që bashkëpunon me bizneset, akademinë, shoqërinë civile dhe në veçanti me miqtë ndërkombëtarë, për të tejkaluar krizën me pandeminë dhe për të rimëkëmbur ekonominë”, tha Hoti.











































