Miqësinë e presidentit Ilir Meta me rusët duket se nuk e ka zbehur as koronavirusi. Ashtu siç zinte vend kryesor gjatë sulmeve ndaj qeverisë, amerikanëve dhe reformës në drejtësi, edhe tani presidenti ka hapësirën e vet te mediat ruse.
Ndonëse e gjithë bota zien për shkak të Covid 19 dhe secili sheh hallet e veta, ka portale ruse që janë shumë të interesuara për atë se çfarë bën dhe thotë presidenti ynë. Një ndër portalet më të famshme që nuk lë postim dhe deklarata të presidenti pa raportuar, është “Regnum”.
Edhe javën që po lëmë pas, ky portal ka shkruar shumë lajme mbi aktivitetin e presidentit. Më i fundit është dje, mbi telefonat që ka pasur Meta me homologun e tij kosovar. “Presidentët e Kosovës dhe Shqipërisë, Hashim Thaçi dhe Ilir Meta, zhvilluan një bisedë telefonike për të diskutuar mbi situatën e shkaktuar nga koronavirusi dhe masat aktuale të marra nga dy vendet për të kapërcyer krizën”, thuhet aty.
Po ashtu në portal janë pasqyruar dhe aktivitete të tjera të presidentit shqiptar, që nga telefonata me homologun e Maqedonisë dhe qëndrimet për situatën. Duhet theksuar se kur Meta zbriti në rrugë kundër qeverisë apo kur opozita nis protestat, nuk kishin fund lajmet në portalet ruse. Por duke qenë se presidentin e afeksionon Moska, duket se dhe tani vijojnë shkrimet për të.










































