Ditën e hënë Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pritet që të hapë dyert për zhvillimin e seancave gjyqësore. Nisja e proceseve të rregullta në fillim të kësaj jave do të bëhet për arsye shumica e të burgosurve nuk kanë pranuar që seanca në ngarkim të tyre të zhvillohen online.
Katër ditë më parë u zhvillua online procesi gjyqësor ndaj Eftimiu Eftimius dhe Elton Halipajt, të akuzuar për vrasjen e Devi Kasmit. Seanca e zhvilluar me videokonferencë sipas nenit 4 të aktit normativ, ku greku ishte në burgun e Peqinit, ndërsa Halipaj ishte në burgun 313 gjatë zhvillimit të kësaj seance.
Kujtojmë se procesi ndaj tyre zhvillohet në lidhje me vrasjen e Devi Kasmit, i cili u ekzekutua në Tiranë, pas një prite të ngritur në rrugën “Kongresi i Manastirit”. Ndërkohë që ndaj Eftimiut dhe Halipaj rëndon akuza për vrasje në formën e grupit të strukturuar kriminal. Në përfundim të kësaj seance online ata deklaruan se nuk duan që gjykimi të vijojë në këtë situatë, dhe në baze të nenit 3 shkronja e, gjykimi i tyre u pezullua.
Por sipas burimeve nga GJKKO, gazeta “SOT”, ka mësuar se shumë prej personave që ndodhen në paraburgim dhe që janë në proces gjykimi kanë refuzuar të gjykohen online. E ndodhur në këtë situatë Gjykata e Posaçme, duke qenë se shumë prej të ndodhurve në paraburgim i skadojnë afatet e paraburgimit ka nisur përgatitjet që nga dita e hënë të nisë seanct e rregullta vetëm për çështjet me afate. Burime nga kjo gjykatë sqaruan se janë marrë masat për të mos rrezikuar afatet e paraburgimit, çka do të sillnin lirimin e të arrestuarve për të zhvilluar seanca me masa mbrojtëse.
Në këto seanca “emergjente”, do të jenë prezent vetëm gjyqtarët, prokurori, avokatët mbrojtës si dhe policët e shoqërimit. Seancat gjyqërsore do të zhvillohen duke ruajtur distancën sociale ndaj njëri-tjetërit të paktën 1.5 m si dhe përpara zhvillimit të seancës ambientet do të dezinfektohen. Gjithashtu të gjithë të pranishmit që nga të paraburgosurit e deri tek gjyqtarët do të jenë të pajisur me maska e doreza. Ndërkohë, burime shtuan për gazetën “SOT”, se rastet e proceseve ku numri i të pandehurve do të jetë më shumë se 4, për shkak të hapësirës së vogël të kafazit ku ata qëndrojnë, disa do të transferohen në ambientet e sallës aty ku më herët ka qëndruar publiku ose media e cila në këtë periudhë nuk lejohet.
Në fillim të prillit u hap një dritë jeshile për zhvillimin e proceseve gjyqësore, ku Gjykata e Posaçme dërgoi një kërkesë në drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për nisjen e proceseve gjyqësore online. Por ky vendim ka dështuar për shkak se shumë prej personave që ndodhen në paraburgim nuk kanë pranuar që proceset e tyre gjyqësore të zhvillohen online.
Me anë të dy vendimeve që pas fillimit të pandemisë KLGJ vendosi që seancat gjyqësore në çështjet administrative, civile dhe penale, të planifikuara pranë të gjitha gjykatave shtyhen deri në përfundimin e gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga përhapja e COVID-19. Nga data e hyrjes së fuqi të këtij akti normativ deri në përfundimin e gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga përhapja e COVID-19 janë pezulluar afatet për ngritjen e padive për paraqitjen e ankimeve si dhe për kryerjen e çdo veprimi procedural në çështjet administrative, civile dhe penale.











































