Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka dhënë versionin e tij për testet e ardhura si donacion nga Serbia.
I ftuar në emisionin “Debat Plus” në “RTV Dukagjini”, Kurti tha se testet për koronavirus që bëhen në Kosovë janë të besueshme. Sipas tij, janë kontraktuar rreth 7000 teste por që nuk mund të vijnë të gjitha në të njëjtën kohë.
“Testet nuk janë kryesoret. Parandalimi është zgjidhja e problemit”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Kryeministri në detyrë ka thënë se nëse qytetarëve u shfaqen simptomat atëherë shteti është i detyruar të reagojë menjëherë.
Duke folur për testet nga Serbia, Kurti ka thënë se vendi fqinj kishte menduar se qeveria nuk do t’i trajtojë qytetarët serb të Kosovës. “Janë befasuar nga veprimet tona dhe më pastaj kanë shprehur një lloj gatishmërie dhe kanë dërguar rreth 1000 teste”.
Kurti ka thënë se qytetarët nuk duhet të frikësohen pasi kjo nuk futet në parimin e reciprocitetit. “Ishte një gjest i mirë nga Serbia. Me ato teste nuk do të testohen vetëm qytetarët serb”, tha ndër të tjera Albin Kurti.











































