Profesori i njohur i Imunologjisë, Genc Sulçebe ka komentuar situatën në të cilën ndodhet vendi, pas mbërritjes së koronavirusit në Shqipëri. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, mjeku Imunolog përgëzoi masat e qeverisë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, ndërsa theksoi se qytetarët duhet të ndërgjegjësohen që ky infeksion është plotësisht i përballueshëm nga një sistem imunitar normal dhe nuk duhet të frikësohen nëse u shfaqen shenja të sëmundjes. Sipas tij, në shumicën dërmuese të rasteve sëmundja kalon pa asnjë pasoje dhe shërohet plotësisht me qëndrim në shtëpi. Po ashtu, doktori i njohur, Genc Sulçebe u shpreh se duke patur parasysh ecurinë e infeksionit nga koronaviruset e tjerë, sipas tij, ka mjaft gjasa që me stinën e ngrohtë ngjitshmëria e infeksionit me COVID-19 do të ulet.
Doktor Sulçebe, Shqipëria prej më shumë se një muaj është në një situatë të jashtëzakonshme për shkak të COVID-19. Ka shumë persona të frikësuar dhe të painformuar. Sa i rrezikshëm është ky virus dhe a do e përballojë Shqipëria?
Sëmundja COVID-19 shkaktohet nga virusi SARS-CoV-2, i cili është mjaft i ngjashëm me SARS-CoV-1, që në vitin 2002 shkaktoi një epidemi në Kinë dhe vende të tjera përreth, por që u mbyll me shpejtësi si epidemi. Në krahasim me SARS-CoV-1 si dhe viruset e tjerë gripalë, SARS-CoV-2 është më ngjitës, pra transmetohet më lehtë nga njeriu te njeriu me rrugët e frymëmarrjes, nëpërmjet spërklave që dalin nga kolla, teshtitja si dhe të folurit. Ashtu si dhe gripi i zakonshëm sëmundja COVID-19 mund të kalojë pa dhënë asnjë shenjë, me shenja të lehta dhe të parëndësishme ose dhe në formën e një gripi relativisht të fortë që kalon brenda 1 deri 2 javësh pa asnjë pasojë.
-Cilët kategori të qytetarëve duhet të bëjnë më shumë kujdes?
Për fat ky virus nuk prek fëmijët dhe të rinjtë dhe gjithashtu prek më pak seksin femër. Prekshmëria nga ky infeksion rritet me moshën dhe është më e lartë në moshat mbi 60 vjeç e më lart. Janë të rrezikuar kryesisht ata që kanë sëmundje shoqëruese kronike si sëmundje të zemrës, presionit të rritur të gjakut, sëmundje kronike të mushkërive, duhanpirësit, të sëmurët me diabet, obezitet si dhe me sëmundje tumorale apo ata që marrin medikamente si kortizonikë apo imunosupresorë. Këto përbejnë kontingjentin kryesor që rrezikohet nga kjo sëmundje dhe që duhet të ruhet me kujdes të veçantë.
-Masat e ndërmarra nga qeveria sa efektive do të jenë?
Mendoj se masat e marra nga qeveria kanë qenë të efektshme dhe në kohen e duhur, sepse ato penguan përhapjen e shpejte dhe të pakontrolluar të infeksionit. Duhet të themi se edhe popullata u bë shpejt e ndërgjegjshme për nevojën e këtyre masave dhe respektoi në përgjithësi me përgjegjshmëri masat e distancimit fizik dhe social.
-Ka shumë akuza se mungojnë mjetet në spitale. Si është situata?
Kapacitetet spitalore për përballimin e infeksionit nga COVID-19 u ngritën me shpejtësi dhe në nivelin e duhur. Mendoj se kushtet spitalore për trajtimin e të sëmurëve me COVID-19 janë të përshtatshme për mjekimin e këtyre pacienteve dhe me cilësinë e nevojshme. Por nga ana tjetër, unë theksoj atë që ky infeksion duhet të kalohet në shtëpi, sepse është një sëmundje që vetësherohet dhe nuk ka nevojë për mjekim specifik spitalor. Spitalet dhe poliklinikat mund të transformohen pika përhapje infeksioni nëqoftëse njerëzit do të turren drejt tyre. Trajtimi spitalor bëhet i nevojshëm kur kemi vështirësi të tillë në frymëmarrje që kërkon dhe oksigjeni.
-Ju si mjek çfarë do rekomandonit për t’u mbrojtur nga Covid-19?
Në momentin e tanishëm nuk ka akoma një vaksinë për parandalimin e përhapjes së infeksionit si dhe nuk ka akoma asnjë medikament me efekt të vërtetuar ndaj këtij virusi. Si rrjedhojë, masat e vetme efikase për t’u mbrojtur nga infeksioni me virusin SARS-CoV-2 janë: 1- Mbajtja sa më universale e maskave si mjeti më i efektshëm për mbrojtjen e rrugëve të frymëmarrjes; 2 – Mbajtja e dorezave ose dezinfektimi dhe larja e duarve sa më e shpeshtë për të parandaluar futjen me dorë të viruseve në rrugët e frymëmarrjes; 3 – Distancimi fizik nëpërmjet qëndrimit të paktën 1,5 metra larg njerëzve në aktivitetet e përditshme jashtë shtëpisë; 4 – Evitimi i çdo lloj grumbullimi me njerëz.
– A mund të përhapet virusi përmes objekteve, fjala vjen përmes parave në supermarkete apo produkteve që ne blejmë çdo ditë?
Nuk ka të dhëna që virusi të përhapet në këtë mënyrë. Por në çdo rast mbajtja e dorezave, larja e përsëritur e duarve dhe mos prekja e fytyrës me duar duhet të kihen parasysh në çdo aktivitet jashtë shtëpisë.
-Si ta dallojmë se jemi prekur me Covid-2019 dhe jo nga gripi i zakonshëm?
Pas 2 deri 14 ditë pas infektimit me këtë virus, sëmundja mund të shfaqet me temperaturë, dhimbje trupi, kollë, dhimbje fyti apo dhe diarre. Në këtë aspekt COVID-19 i ngjan një gripi të fortë. Në shumicën e rasteve sëmundja pas javës së parë përmirësohet dhe kalon pa pasoja për rreth 2 javë. Karakteristike e këtij virusi është se futet në rrugët e poshtme të frymëmarrjes dhe jep pneumoni, e cila dhe kjo kalon zakonisht brenda dy javëve. Sistemi imunitar e lufton normalisht këtë virus dhe në dy deri tre javw ai është i aftë ta eliminojw plotësisht virusin. Frika, paniku dhe stresi janë krejt pa vend, sepse e dëmtojnë sistemin imunitar dhe nuk e lejojnë atë të funksionoje në mënyrë normale.
-A kanë efekt desifktantët dhe alkooli që mund të blejmë në farmaci për të shkatërruar Covid-19?
Alkooli mbi 70 gradë dhe dezinfektantët e tjerë janë plotësisht të afte të shkatërrojnë virusin SARS-CoV-2 . Edhe larja e duarve me ujë e me sapun për 20 sekonda e eliminon plotësisht virusin nga duart dhe objektet e tjera.
-Sa gjasa ka të infektohesh nga koronavirusi nëse shkëmbehesh në rrugë me një person të infektuar, pa pasur aspak kontakt fizik?
Nëqoftëse personi tjetër në rrugë është më larg se 1,5 metra dhe aq më tepër n.q.s ne mbajmë maskë mbrojtëse rreziku i infektimit në rrugë është praktikisht zero.
-Mund të bëhet një parashikim se sa mund të zgjasë situata në të cilën ndodhemi?
Duke patur parasysh ecurinë e infeksionit nga koronaviruset e tjerë ka mjaft gjasa që me stinën e ngrohte ngjitshmëria e infeksionit me COVID-19 do të ulet në mënyrë të konsiderueshme. Sidoqoftë dhe gjatë kësaj stine mbajtja e maskës dhe rekomandimet e tjera të distancimit fizik dhe social duhet të respektohen me rigorozitet edhe kur ne ushtrojmë aktivitet profesional dhe social normal.
-Edhe pse zyrtarisht Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se qytetarët që kanë ndërruar jetë kanë qenë mbartës të Covid-19n ka zëra se jo të gjithë qytetarët që kanë humbur jetën nga koronavirusi. Në gjykimin tuaj sa qëndrojnë këto pretendime19?
Siç e thamë më lart, personat e moshuar dhe sidomos ata që kanë sëmundje të zemrës, mushkërive, veshkave, diabet dhe sëmundje të tjera kronike kanë gjendje imunitare të dobësuar dhe pikërisht ata janë shumë më të predispozuar të infektohen me COVID-19 dhe të rrezikohen të humbin jetën nga ky infeksion.
-Keni një mesazh për qytetarët?
Qytetarët duhet të ndërgjegjësohen që ky infeksion është plotësisht i përballueshëm nga një sistem imunitar normal dhe nuk duhet të frikësohen dhe të panikohen n.q.s u shfaqen shenja të sëmundjes. Në shumicën dërmuese të rasteve sëmundja kalon pa asnjë pasojw dhe shërohet plotësisht me qëndrim në shtëpi dhe me masa të përgjithshme si për çdo grip të zakonshëm. Mjekeve mund t’u drejtohemi vetëm në raste kur pas 1 javë vazhdon vështirësia e theksuar në frymëmarrje dhe nuk kemi përmirësim të gjendjes. Gjithashtu të gjithë qytetarët duhet të ndërgjegjësohen se masat e marra të distancimit fizik dhe social janë të domosdoshme për të parandaluar që të sëmuremi nga ky virus si dhe për mos u bërë shkas të infektojmë të tjerët.
Intervistoi: Rigels Seliman








































