Janë zbardhur të tjera detaje nga aksioni ‘blic’ i para pak minutave në zonën e Xhamllikut në Tiranë. Bëhet me dije se i arrestuari është Ilir Selmani, banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Ilir Selmani akuzohet për vrasjen e ish-policit Santiago Malko në kryeqytet në fund të gushtit të vitit të kaluar. Ndërkaq Selmani është edhe pjesë e klanit ‘Duka’, që ndryshe quhet banda e romëve.
Roli i tij në vrasjen e Santiago Malkos, ka qenë bërja gati e automjetit me të cilin janë larguar pas ekzekutimit autorët dhe fshirja e gjurmëve të tjera të lëna në vendngjarje ndërkohë që pritej shënjestra.
I udhëzuar nga Leonard Duka, Selmani ka kthyer makinën pasi kanë shënjestruar Malkon. Më pas Ilir Selmani shfaqet në disa video teksa mbledh bishtat e cigareve që kishte hedhur në tokë Blendi Teta, survejuesi i ish-policit.
Më datë 3 mars 2020, Selmani u vu në shenjestrën e OFL e cila i dërgoi kërkesë për deklarimin e pasurisë.









































