Google search engine
Home Politike Meta, Rama, Basha dhe Berisha në unison për ndryshimet në Kodin Penal,...

Meta, Rama, Basha dhe Berisha në unison për ndryshimet në Kodin Penal, të gjithë bëhen bashkë në prag të SPAK dhe BKH

0
399

Klasa politike në Shqipëri tregoi dhe një herë se është e paparashikueshme. Parlamenti miratoi me shumicë të cilësuar ndryshimet në Kodin Penal, duke i hapur rrugë burgosjes së qytetarëve nëse thyejnë rregullat e karantinimit. Por seanca e sotme plenare tregoi dhe një herë se të gjithë janë bashkë pa përjashtim.

Deri dje në mbrëmje kishte sinjale të forta se ndryshimet në Kod nuk do të kalonin, për shkak se shumë përfaqësues të opozitës dolën hapur kundër. Por çudia ndodhi në seancë, pasi shumica u rreshtuan pro ndryshimeve, ndërsa doli në pah dhe rikthimi i qetësisë Rama-Meta. Edhe pse kreu i shtetit deri më 2 mars të protestonte për të rrëzuar qeverinë, mazhoranca sot ju bind, duke pranuar draftin e tij për Kodin Penal. Edhe Meta u bë bashkë me mazhorancën pasi sërish propozoi burg, edhe pse në mënyrë më të lehtë.

Nga ana tjetër kemi PD dhe LSI që po ashtu qepën gojën. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi bëri një reagim sa për të larë gojën, duke sulmua kryeministrin, por pa thënë asnjë fjalë për ndryshimet. Nga ana tjetër dhe Berisha dhe Basha nuk nxorën asnjë fjalë duke treguar dhe një herë se klasa politike kur e sheh veten në rrezik bëhet bashkë. Absurdi është se kemi ish-ministra dhe ish-deputetë që janë të lirë sot edhe pse kanë kryer krime e kanë vjedhur miliarda, ndërsa qytetarët do duhet të shkojnë në burg sepse dalin nga shtëpia.

Pyetja që shtrohet është: A do ketë sukses reforma në drejtësi kur të gjithë bëhen bashkë edhe pse dispozita në Kodin Penal (sipas të gjithë juristëve) bien ndesh me Kushtetutën? Sinjalet janë se sa më shumë zgjat kjo status-quo aq më larg janë SPAK dhe reforma në drejtësi. Teksa të gjithë presin që SPAK e Byroja e Hetimit të godasin të korruptuarit, duket se kemi një aleancë fluide. Presidenti ka rënë në qetësi për më shumë se një muaj dhe duket se e mori atë që dëshironte. Shkarkimi i tij u shty me 3 muaj, por që me gjasë do shtyhet sërish për në vjeshtë, duke përfunduar në kalendat greke. Sali Berisha po ashtu doli i fituar. Edhe pse privatizimi i OSHEE nga CEZ ishte një nga vjedhjet më të mëdha, prokuroria mbylli dosjen për të gjithë të akuzuarit, përfshirë ish-kryeministrin. Dosja është në Apel, por dhe aty pritet të marrë vulën përfundimtare dhe Berisha del i pa lagur bashkë me ish-ministrat e tij.

Nga ana tjetër kemi kreun demokrat Lulzim Basha, i cili po ashtu i shpëtoi aferës së lobimeve në SHBA. Prokuroria pushoi hetimet për pastrim parash ndaj liderit demokrat dhe dërgoi dosjen në gjykatë vetëm për falsifikim formulari. Edhe sikur Basha të dalë fajtor do të dënohet vetëm me gjobë, pra del i larë në këtë mes.

Pra edhe pse në media shahen çdo ditë dhe nuk lënë gjë pa thanë për njëri-tjetrin, kur vjen puna, të gjithë mund të bëhen bashkë për të mbrojtur veten e tyre dhe izoluar popullin. Sot u tregua qartë se palët janë bashkë, pavarësisht se deri dje çirreshin për të drejtat e qytetarëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here