Në Kosovë nga sot hyjnë në fuqi masat e rrepta të lëvizjes së qytetarëve në përpjekje për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit që në ditët e fundit shënoi rritje.
Numri i të infektuarve me Covid-19 ka arritur në 387 vetë, me 8 të vdekur që kishin edhe sëmundje shoqëruese dhe 56 të shëruar. Masat e reja që parashohin lëvizjen e kufizuar të qytetarëve i bëri publike ministri në detyrë i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Arben Vitia, në një konferencë për media.
Nga data 15 prill, qytetarët kanë të drejtë të lëvizin në rrugë vetëm për 1 orë e gjysmë në ditë.
“Që nga data 15 prill në ora 06:00 ndalohet qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive, përveç për furnizim me ushqim dhe barna, si dhe për detyrat e nevojat financiare per 1 orë e gjysmë në ditë. Personave të moshuar u rekomandohet të mos dalin fare nga shtëpitë përveç në raste urgjente. Qytetarët e Kosovës janë të obliguar që kur dalin në rrugë të mbajnë maska ose mbulesa tjera për pjesën e gojës dhe hundës. Kur dalin në rrugë, personave fizikë nuk u lejohet shoqërim nga asnjë person, përveç në dy raste, personave me aftësi të kufizuara dhe personave nën 16 vjeç”, tha ministri Arben Vitija.
Ai paralajmëroi se mosrespektimi i masave të këtij vendimi konsiderohet kundërvajtje administrative dhe dënohet prej 1 mijë deri në 2 mijë euro gjobë për personat fizikë dhe 3 mijë deri 8 mijë euro për personat juridikë.











































