Gazetari Artan Hoxha, ka dhënë informacione të detajuara mbi aktivitetin kriminal të Orgest Bilbilit, i arrestuar në Tiranë pak ditë më parë. Hoxha tha se tashmë Bilbili bashkë me grupin e tij, ishin kthye në vrasës me pagesë dhe synonin të merrnin nën kontroll qytetin e Lushnjës.
“Atëherë, Blendi së pari dua të them që në emisionin e datës 12 tetor të vitit 2017, nuk ishte puna se po bënim parashikim. Por unë e kam ndjekur këtë grup që në vitin 2010, këtë grup, që kur ishin 19-vjeçarë dhe adoleshentë. Është rasti tipik, se si në Shqipëri kur ligji nuk vepron, se si një grup nga adoleshentë problematik, bëhen kështu. Po të shikosh dosjen, se ja mbaj mend dhe numrin 450, aty ishin një grup prej 7 të rinjsh, mes tyre Anteroi Kaloshi, Orges Bilibili dhe Laert Haxhiu. Ata vidhnin steka cigaresh, grabitje televizorësh, grabitje ordinere në fshatra, etj. Ne atyre u kushtuam vëmendje kur ra avioni i famshëm në Divjakë, me Giorgio Riformaton, ku si i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kanabisit, rezultoi Orges Bilbili. Dhe madje është dënuar me 7 vjet e 4 muaj burg për këtë akuzë. Dhe apeli që bënim në atë kohë ishte pikërisht kjo gjë, që nëse nuk reagohej shpejt bilanci do të rëndohej. Dhe katër vjet më vonë kemi 4 të vrarë, kemi familje që janë larguar me azil, e kanë marrë, jo thjesht kanë bërë kërkesën,”- tha Hoxha.
Gazetari shtoi se grupi ka patur mbështetje edhe në polici.
“14 operacione të forcave speciale gjatë këtyre viteve kanë dështuar. U kthyen në vrasës me pagesë dhe rezulton se kanë bërë vrasje tipike mafioze edhe në Fier, Durrës edhe në Vlorë. Një grup që po tentonte të merrte në kontroll qytetin e Lushnjës. Janë vrasje me viktima krejtësisht të pafajshme. Ishin vrasje tipike që tentonin jo thjesht të ekzekutonin viktima , por të ngjallnin terror. Këta nuk largoheshin nga territori i Shqipërisë, qëndronin këtu”, deklaroi gazetari.









































