Më shumë kohë për përgatitje dhe me njerëz që i binden masave të mbylljes ka ndihmuar Portugalinë që të menaxhojë shpërthimin e coronavirusit.
Kjo mund të thuhet edhe nëse krahasojmë faktin se Portugalia ka numër të infeksioneve dhe shkallë të vdekjes nga COVID-19 shumë të ndryshme në krahasim me Spanjën fqinje, një nga vendet më të goditura.
Pulmologu dr. Filipe Froes, një këshilltar i shefes së shëndetësisë Graça Freitas, tha se Portugalia kishte përfituar nga të qenit pas Madridit për sa i përket përhapjes së virusit.
Kjo, shtoi ai, i kishte dhënë vendit kohë për të përgatitur spitalet dhe për të rritur kapacitetet në njësitë e kujdesit intensive.
“Dallimi në Portugali ishte se kishim më shumë kohë për t’u përgatitur”, i tha dr. Froes emisionit të “Euronews”, “Good Morning Europe”.
“Ne mendojmë se jemi tre javë prapa Italisë dhe mbase një javë e gjysmë pas Spanjës, kështu që kjo na dha kohë, ditë të çmuara, për t’u përgatitur. Mendoj se ndryshimi kryesor ishte edhe angazhimi i hershëm i mjekëve të kujdesit parësor”.
Ndryshe, sipas “Euronews”, Portugalia shpalli një gjendje të jashtëzakonshme më 18 mars, vetëm dy ditë pasi u raportua vdekja e parë nga Covid-19.
Deri tani, Portugalia ka konfirmuar 535 vdekje COVID-19, e cila rezulton si 52 për një milion të popullsisë.
Në Spanjë, më shumë se 18.000 persona kanë gjetur vdekjen nga sëmundja, duke i dhënë asaj një normë prej 385 vdekjesh për secilin një milion banorë.
Shkalla e infektimit në Madrid është gjithashtu dyfish se ajo e Lisbonës, megjithëse kjo masë mund të zvogëlohet nga sa teston një vend.









































