Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zbardhur vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Apelit të ish Krimeve të Rënda, Gjovalin Përnocës. Në vendim vihet re se trupa gjykuese është “ndarë” gjatë dhënies së vendimit, ku njëri nga anëtarët ka votuar kundër qëndrimit të shumicës së trupit gjykues, e cila e ka vlerësuar si të ligjshëm privatizimin nga subjekti i rivlerësimit të apartamentit në qytetin e Shkodrës. Relatori Olsi Komici është shprehur në fjalën e tij se nuk është dakord me anëtarët e tjerë të trupit gjykues për dy apartamentet që ish gjyqtari ka përfituar në Rrëshen dhe Shkodër.
“Unë, komisioner Olsi Komici, Për sa më sipër, arrij në përfundimin se subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur me të kanë përfituar dy herë nga aplikimi i ligjit nr. 7652, datë 23.12.1992, “Për privatizimin e banesave shtetërore”, në mënyrë jo të ligjshme, dhe për rrjedhojë në shkelje të etikës së gjyqtarit. Privatizimi i apartamentit në qytetin e Shkodrës është bërë në kundërshtim me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992, “Për privatizimin e banesave shtetërore”, në një kohë kur subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur me të kishin përfituar po me të njëjtin ligj një apartament tjetër në qytetin e Rrëshenit, të cilin e kishin ende në pronësi. Për këto arsye, jam shprehur kundër qëndrimit të mbajtur nga shumica e trupit gjykues për këtë pikë, qëndrim i cili nuk ka ndikuar në votën time për shkarkimin e subjektit të rivlerësimit, për të gjitha shkaqet e tjera të konsumuara dhe të shpallura në vendim”, shkruhet në vendim.
Përnoca u shkarkua nga pasi gjatë procesit të vetingut iu konstatuan deklarime të pasakta dhe mungesë burimesh të ligjshme për pasurinë. Gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit shkuan në të njëjtën linjë me raportin e ILDKPKI-së. Sipas vendimit gjyqtarit iu gjetën probleme për një apartament me sipërfaqe 108.4 m2 me vlerë 49 860 m2 në katin e gjashtë të një pallati dhe dy garazhe nga 19 m2 të ndodhura në Tiranë, në bashkëpronësi me biznesmenin S.G.. Sipas Komisionit, Përnoca kishte deklaruar si burim të krijimit të kësaj pasurie pagesën e kryer nga S.G. në formë huaje. Sipas venimit të KPK Përnoca ka deklaruar se jeton në këtë apartament që prej vitit 2008 dhe S.G. ka hequr dorë më pas nga pronësia, pasi i ka shlyer shumën që ai kishte paguar fillimisht. Çmimi i blerjes së këtij apartamenti është më i ulët nga ai i referencës dhe se ka mospërputhje të sipërfaqes në katër dokumente të ndryshme.
Gjithashtu KPK ngriti dyshime për blerjen e një apartamenti në Golem në vlerën 1.9 milionë lekë në vitin 2005, e shitur gjashtë muaj më pas me dyfishin e vlerës; në 3.4 milionë lekë. KPK ka gjetur se edhe personi që e kishte blerë nga Përnoca, e kishte shitur sërish këtë apartament në vlerën 1.95 milionë lekëve. Sipas Komisionit, Përnoca ka shpjeguar se e ka shitur më shtrenjtë pasi ka kryer punime dhe vlera e shtëpisë ishte rritur dhe se nuk e di përse blerësi e ka rishitur në një vlerë të ulët. Komisioni ngre dyshimet për veprime fiktive të blerjes dhe shitjes së apartamentit në Golem. Subjekti rezultoi gjithashtu të kishte blerë truall me sipërfaqe 105 m2 dhe ndërtesë prej 75 m2 në 1998 në vlerën rreth 3.1 milionë lekë në rrugën ”Niko Avrami” në Tiranë. Burimi për këtë pasuri është deklaruar të jetë shitja e shtëpive në Shkodër dhe Rrëshen, të dyja të përfituara nga privatizimi. Komisioni konstatoi se ka mospërputhje të deklaratave për çmimin dhe sipërfaqen e ndërtimit, pasi banesa nuk e ka sipërfaqen 75 m2, por gati dyfishin në 158 m2.
Nga vlerësimi tërësor i kriterit profesional janë konstatuar mangësi dhe problematika në aspektin procedural nga subjekti i rivlerësimit, por trupi gjykues vlerëson se ato nuk janë deri në atë masë që të plotësojnë qëllimin e nenit E të Aneksit të Kushtetutës apo pikës 4, të nenit 61, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dhe për rrjedhojë, trupi gjykues arrin në përfundimin se subjekti i rivlerësimit, arrin një nivel minimal kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale. Në përfundim trupi gjykues i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pasi konstatoi se subjekti nuk ka arritur një nivel të besueshëm të vlerësimit të pasurisë. vendosi Shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Gjovalin Përnoca, me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë.










































