Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim duke shfrytëzuar pandeminë e shkaktuar nga COVID-19, kanë nisur sulmet në drejtim të mazhorancës qeverisëse, duke e kthyer këtë fatkeqësi në politikë. Por kundër tyre doli ambasadorja amerikane Yuri Kim, e cila u bëri thirrje opozitës jashtëparlamentare dhe presidentit Ilir Meta se nuk është koha e përshtatshme për politikë, por duhet të bashkëpunojnë me njëri tjetrin për të përballuar pandeminë. Në lidhje me këto deklarata, avokat Spartak Ngjela u shpreh se opozita është në kundërshtim të hapur politikën amerikane, duke shtuar se presidenti Meta është tërhequr sepse e ka kuptuar që nuk mund të dalë kundër SHBA. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Ngjela deklaroi se akuzat që PD hedh në drejtim të qeverisë nuk qëndrojnë për sa kohë që sipas tij selia blu nuk citon asnjë profesor që është i fushës dhe kompetent për situatën. Por duke iu referuar situatës aktuale, avokati tha se masat e mara nga qeveria kanë dhënë efekt dhe kjo gjë sipas tij shihet qartë në kurbën e ulët që është si me rastet e të infektuarve, ashtu edhe me rastet e viktimave.
-Avokat, Shqipëria ndodhet në një situatë të jashtëzakonshme për shkak të Covid-19. Por siç është bërë tashmë traditë te ne, as fatkeqësisht nuk i bashkojnë politikanët në Shqipëri. Opozita vijon sulmet çdo ditë, gjë që ka sjellë dhe një reagim të ambasadores amerikane, e cila ka kërkuar paqe…
Fakti që ambasadorja amerikane ka dalë, dhe ky është vendi i parë që një ambasadore amerikane del në funksion të epidemisë, kuptohet që gjendjen këtu e drejtojnë ata. Shqipëria nuk ka pasur forca të fuqishme intelekti për krijimin e një situate karantine, nuk ka pasur asnjë bazë ligjore, as rregullore, as nuk e ka njohur këtë situatë. Kështu që kuptohet që të gjithë bazën ligjore, të gjithë rregullat që janë vendosur nëpërmjet akteve që ka marrë kryeministri, si akte normative kuptohet që kanë ardhur të gatshme, sepse ne nuk kemi pasur një bazë ligjore. Është diskutuar që ta kemi, por nuk e kemi pasur. Gjithsesi tani po formohet baza ligjore.
-Si e shihni faktin që opozita vijon sulmet, pavarësisht ultimatumit amerikan? Ndërsa kemi presidentin i cili është më i tërhequr.
Përsa i përket opozitës jashtëparlamentare, krerët e saj janë në kundërshtim me politikën amerikane në Tiranë. Kjo nuk është e re. Por cilat janë arsyet që ka ardhur kjo? Kjo është një çështje që do një diskutim të gjerë, por marrëdhëniet midis krerëve të Partisë Demokratike dhe politikës amerikane janë të ndera. Ndërsa Ilir Meta nuk është aq budalla sa ata dhe është në tërheqje.
-Gjithsesi si e shihni ju situatën dhe a kanë vend akuzat e opozitës?
Ne nuk mund ta akuzojmë gjendjen kur parametrat janë në përmirësim. Një logjikë që nuk kap këtë lloj arsyetimi ka dy arsye: Ose dëshiron që këtu të bëhet epidemi e një shkalle të gjerë ose janë injorant që nuk dinë të zgjidhin asnjë ekuacion të gradës së dytë. Këta kanë sjell në opozitë shqiptarët. Kjo është njëra anë e medaljes, ndërsa ana tjetër është se parametrat tanë duhet të ruhen. Deri tani parametrat janë mirë. Sot kishte 7 raste të reja, dje ishin 9, pardje ishin 28. Pra ky përshkallëzim në rënie tregon që parametrat janë mirë, edhe në funksion të shërimit edhe në funksion të vdekjeve. Këto janë aspektet që kontrollohen parametrat, pra sa është numri i vdekjeve, sa është numri i të shëruarve, sa është numri i atyre që sëmuren rishtas, si raste të reja dhe në fund sa janë gjithsej. Po ashtu duhet edhe sa janë të shtruar në spital. Numri i të hospitalizuarve në Shqipëri është shumë i vogël, është ende më pak në krahasim me shtretërit. Kjo situatë epidemike mat gjithmonë raportin e të sëmurëve me shtretërit që kemi nëpër spitale. Katastrofa italiane filloj të precipitojë me shpejtësi dhe gramatikisht, në momentet kur mbaroi numri i shtretërve nëpër spitale. Në Shqipëri nuk jemi në një situatë të tillë, pasi ne nuk kaluam në atë vrull të madh epidemik, nuk kaluam në një moment eksponencial. Kjo ka ndodhur në funksion të masave që janë marrë në mënyrë korrekte.
-PD dhe LSI kapen pas fakti që nuk bëhen testime masive…
Parametrat janë në zbutje. Por çfarë opozite do bëjmë? Nëse kjo metodë, që është ndërmarrë në Shqipëri nuk ka lindur në Shqipëri, ka sjellë rezultat pozitiv, nuk mund të ndërrohet metoda. Kjo është leksion shkencore. Metoda ndërrohet në momentin kur parametrat rëndohen. Por cilët janë profesionistët apo profesori që e citon opozita për metodën që do të krijoj në Shqipëri? Asnjë, s’kemi dëgjuar. Çdo njeri jashtë profesionit të vetë është mediokër. Është aksiom e filozofisë së madhe. Si mund të pranohen ide të reja në funksion të përmirësimit të metodës kur ti nuk ke nxjerrë emrin e metodistit ose të profesorit të madh që ta ka dhënë këtë sugjerim. Opozita shqiptare siç duket nuk e dëshiron shërimin e shoqërisë nga virusi ose janë të paaftë mendërisht, ose janë aq shumë pasionontë sa në funksion të pushtetit dhe rënies nga pushteti nuk marrin përsipër asnjë moment moral për shoqërinë.
Intervistoi: Elisjeda Kiko








































