Propozimet e kryeministrit për të ndërhyrë në Kodin Penal dhe për të ashpërsuar dënimet duket se nuk ka gjetur aspak mbështetjen e opozitës. Deputetët opozitar e shohin si të panevojshme këto ndërhyrje dhe antikushtetuese.
Deputeti Myslim Murrizi në një reagim për gazetën “SOT” u shpreh se nuk do t’i votojnë këto propozime në seancën plenare të 16 prillit, duke u bërë thirrje edhe ndërkombëtarëve në vendin tonë që të reagojmë sa më parë. Sipas Murrizit, këto janë propozime absurde që nuk ndihmojnë në parandalimin e pandemisë por vetëm rritet presioni verbal i qeverisë tek qytetarët. “Është një propozim absurd dhe me reminishenca komuniste. Absolutisht jam kundër sepse nuk ka asnjë efekt real për të ndihmuar situatën për parandalimin e pandemisë, veçse është një presion verbal i qeverise për të rritur autoritetin e saj autokratik fals. Kryeministri harron që prej dhjetorit 1990 formalisht jemi vend pluralist dhe demokratik e nuk mund të sillet si Kim Jungu apo si idhulli i tyre shpirtëror që për koincidencë sot ka 35 vjetorin e vdekjes. Besoj që jo vetëm unë, por shumë deputet të ardhur në Kuvend nga listat e PD por dhe një pjesë e LSI do të votojnë kundra këtij ndryshimi. Habitem edhe me shterpësinë e reagimit të faktorit ndërkombëtar dhe përfaqësuesve të tyre në Tiranë të cilët heshtin para këtij kthimi mbrapa në kohë, kur ne presim të jemi së shpejti pjesë e BE, kuptohet nëse BE do të vazhdoj të jetë union edhe pas kësaj pandemie”, tha Murrizi për gazetën.
Më tej deputeti u bëri thirrje edhe kolegëve të tij të mazhorancës që të reflektojnë si qytetarë të thjeshtë dhe mos zbatojnë urdhrat e kryeministrit. “Ju bëj thirrje edhe të punësuarve të Ramës në Parlament që kanë statusin e deputetit që të reagojnë si qytetarë dinjitoz e jo të vegjetojnë thjeshtë si eunukë të liderit suprem të tyre se nesër do jetë shumë vonë. Diktaturat lindin dhe rriten nga servilizmi dhe mungesa e kurajos dhe e dinjitetit të atyre që për një karrige pushteti të përkohshme, pranojnë të përdoren e poshtërohen në ekstrem nga një individ qoftë ky kryetar partie, kryeministër apo president. 15 vjet burg janë baras me dy vepra penale politike të diktaturës (agjitacion e propagandë kundër partisë e pushtetit popullor dhe arratisje nga atdheu). Servilizmi dhe vënia rresht ndaj çdo deklarate publike të kujtdo kryeministri është themeli i fillimit të një diktature”, u shpreh deputeti Myslim Murrizi në reagimin e tij për gazetën “SOT”.
Reagon Andi Përmeti
Ndërkohë në të njëjtën linjë ka qenë edhe deputeti Andi Përmeti. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook ai tha se nuk do e votojnë këto propozime në seancën plenare, duke shtuar edhe dënimet që duhet tu vendosen qytetarëve në rast të mosbindjes ndaj rregullave. “Nuk mund të tolerohet më i fshehur nën luftën ndaj COVID-19. Sot në media qarkullojnë ndryshimet në Kodin Penal sipas oreksit momental të kryeministrit Rama. Duke shpresuar që të mos jenë zyrtare por një qarkore e hedhur me dashje nga Fuga në media po deklaroj kundërshtinë time absolute ndaj një absurdi juridik të kësaj natyre. Për të qenë më të qartë me disa nga ndryshimet e propozuara: Mosbindja ndaj rregullave, vendimeve dhe urdhrave të nxjerra nga organet kompetente shtetërore për masat e marra gjatë gjendjes së jashtëzakonshme apo gjendjes së fatkeqësisë natyrore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj. Po kjo vepër, e kryer në mënyrë të përsëritur dënohet me burgim nga tridhjetë ditë deri në një vit”, tha Përmeti.










































