Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar në paraditen e 10 prillit mbledhjen e radhës plenare nëpërmjet platformës online ku morën pjesë të nëntë anëtaret të Këshillit. KLP i është përgjigjur kërkesës së Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi duke rënë në dakordësi për përgjysmimin e pagave të anëtarëve, të cilat do t’i kalojnë fondeve të solidaritetit për krizën ndaj COVID-19. Gjithashtu, KLP ka rënë në dakordësi për të vënë në dispozicion të Ministrisë së Financave një shumë rreth 7,8 milion lek nga fondi i pagave të cilit Këshilli nuk do ta shpenzojë për vitin 2020.
Por pavarësisht se Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi që të dhurojë një pjesë të pagës për përballimin e situatës emergjente, “sheikët” që janë në sistemin e drejtësisë nuk kanë bërë të njëjtën gjë. Ndonëse njerëzit e drejtësisë kanë pagën më të lartë, ata ende nuk kanë dalë në një akt dhurimi për situatën emergjente në të cilën ndodhet vendi. Por edhe në media ka pasur një sërë reagimesh për veprimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët nuk i janë përgjigjur kërkesës për dhurim. Kreu i KLP Gent Ibrahimi në mbledhjen e zhvilluar ditën e sotme përmes videokonferencave, deklaroi se Këshilli është i pafuqishëm përballë prokurorëve, duke deklaruar se nuk kanë kompetencë. “Ne nuk kemi kompetenca për të udhëzuar për këtë rast, por mund të japim mendimet tona se çfarë rruge duhet ndjekur që një prokuror të dhurojë një phesë të pagës së tij”, tha Ibrahimi.
Por gazeta “SOT” ka zbardhur një sërë diskutimesh nga mbledhja. Anëtari Bujar Sheshi u shpreh se vendimi për dhurimin e një pjese të pagës duhet të jetë personal dhe sipas tij duhet të vendosë prokurori nëse do e dhurojë pagën apo jo. “Për mendimin tim, dhurimi është akt personal dhe çdo prokuror është njohur me ftesën që i ka bërë Prokurori i Përgjithshëm për vendimin për pagën e tij. Rasti jonë si Këshill ndryshon. Edhe ne e morëm vendimin duke qenë se ishim të tërë unanim, nuk kishte asnjë kundër apo nuk kishte opsione të ndryshme nga ky vendim që morëm. Çdo prokuror duhet të veproj me iniciativën e vet për pagën e tij dhe nuk mund të merret venim kolektiv si prokurori”, tha ai.
Por anëtarja Esmeralda Cami Keshi deklaroi se paga e prokurorëve është e pacenueshme dhe si e tillë sipas saj, duhet të kalojë e plotë në llogarinë personale. Më tej, anëtarja deklaroi se kalimi në buxhetin e shtetit mund të bëhet nga vetë prokurori përmes një akt dhurimi. “Sipas mendimit tim, mënyra e vetme që mund të merret kjo formë dhurimi nga prokurorët apo oficerët e policisë gjyqësore, me qenë se paga e tyre nuk mund të cenohet, por unë mendoj që paga nuk mund të mbahet në burim. E vetmja mënyrë që mund të bëhet dhurimi i shumës është që pasi paga është disbursuar në llogarinë personale të prokurorit, i cili me anë të një akt dhurimi mund ta kaloj në një llogari të caktuar, e cila mund t’i kthehet pastaj buxhetit të shtetit. Por jo të mbahet në burim edhe me një marrëveshje, pasi sipas mendimit tim edhe nëse ka një marrëveshje mes magjistratit dhe zyrës së financës, për mbajtjen e shumës cenon pagën e magjistratit e cila mbrohet me ligj dhe me Kushtetutë”, tha ajo.
Ndërsa anëtari Tartar Bazaj u shpreh se kjo është një çështje që u takon ekonomistëve ta zgjidhin dhe jo juristët. “Unë mendoj se kjo është një çështje që duhet ta zgjidhin ekonomistët”, tha ai. Pra përmes këtyre diskutimeve duket qartë që KLP është e pafuqishme përballë njerëzve të drejtësisë, të cilët edhe pse disponojnë pasuri sheikësh, nuk kanë dhuruar asnjë pjesë të pagës së tyre për përballimin e pandemisë.










































