Ëndrra e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për të pasur zgjedhje të parakohshme parlamentare në pranverë duket se po shkon drejt kapitullimit. Deri para se koronavirusi të shfaqej në vendin tonë rreth një muaj më parë, opozita e kryesuar nga PD dhe LSI ishte optimiste se vendi do të shkonte në zgjedhje të parakohshme, ndërsa kjo gjë u vu re edhe kur partitë politikë bënë një farë armëpushimi me njëra-tjetrën, teksa u ulën në tryezën e reformës zgjedhore. Madje, Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kishin nisur edhe takimet me qytetarët për të karikuar elektoratin, lëvizje këto që nënkuptonin se palët kishin rënë dakord se do të kishte zgjedhje. Por mbërritja e Covid-19 në vendin tonë dhe skadimi i afateve të komisionit të reformës zgjedhore në datën 15 mars, duket se do të minojnë planet e opozitës joparlamentare për të larguar kryeministrin Edi Rama nga detyra përmes zgjedhjeve të parakohshme.
Gazeta ka mësuar se Këshilli Politik dhe Komisioni i Reformës Zgjedhore, i është drejtuar Kuvendi t të Shqipërisë me një shkresë, teksa kërkon shtyrjen e afatit për realizimin e reformës zgjedhore. Sipas një projekt vendimi, kërkohet të zgjatet afati i veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore deri më 30 Qershor 2020. Sipas informacioneve, nga komisioni i reformës zgjedhore, i cili tanimë është pagëzuar me emrin “Këshilli Politik”, kërkesë për shtyrjen e afateve do të miratohet në seancën plenare që pritet të mbahet më 16 prill.
Mirëpo, zgjatja e afateve të komisionit shuan në një farë mënyre edhe shpresat e opozitës se vendi do të shkonte në zgjedhje të parakohshme këtë pranverë, pasi si ndërkombëtarët, ashtu edhe paritet politike kanë këmbëngulur se nuk do të ketë zgjedhje pa u miratuar reforma zgjedhore. Kjo do të thotë se duke qenë se afatet e komisionit të reformës zgjedhore skadojnë në fund të qershorit, ëndrra e PD-LSI për zgjedhje në pranverë kapitullon. Nga ana tjetër, mospasja zgjedhjesh të parakohshme në pranverë, pritet që të sjellë edhe zhvillime në kampin opozitar. Pak kohë më parë aleatët ia bënë të qartë kryedemokratit Lulzim Basha se ata do të hynin në pranverë në zgjedhje edhe me kodin aktual zgjedhor dhe se për ta nuk është normale që të këtë zgjedhje në vjeshtë të këtij viti, në një kohë që mbajtja e zgjedhjeve siç e kërkon Kushtetuta lëviz me gjashtë muaj. Kështu që, gjasat janë që zgjedhjet të mbahen në 2021, pasi aleatët kërkojnë edhe ndryshim sistemi.
Ndërkohë që, faktori tjetër që ka hedhur në erë këtë plan është koronavirusi, i cili ka detyruar qeverinë që të marrë një sërë masash drastike për të parandaluar përhapjen e tij. Kështu që, duke qenë se gjithë shteti është në këmbë për të parandaluar përhapjen e virusit Covid-19, gjasat janë vendi të mos shkojë në zgjedhje. Pra, në kushtet kur kemi mungesë informacioni se sa mund të zgjasë kjo situatë, e cila mund të shkojë përtej disa muajsh, shanset për të pasur zgjedhje të parakohshme janë zero. Madje, nëse kjo gjendje do të vazhdojë gjatë, mund të vihen në pikëpyetje edhe zgjedhjet parlamentare të 2021. Kujtojmë se realizimi i Reformës zgjedhore ishte parashikuar të përfundonte më 15 mars, por për shkak të situatës së koronavirusit janë marrë disa masa ekstreme që kanë bllokuar jetën publike. Miratimi i Reformës Zgjedhore, është çështja e vetme që bëri bashkë qeverinë dhe dy opozitat, atë brenda parlamentit dhe jashtë parlamentit.









































