Një sherr i momentit përfundoi në një përplasje me armë paraditen e sotme në Orikum të Vlorës. Mësohet se dy persona kanë qëlluar me qytën e pistoletës Dean Kapaj, 32 vjeç. Ata janë konfliktuar fillimisht me sende të forta. I plagosuri është nisur menjëherë drejt spitalit të Vlorës.
Grupi hetimor, në vendin e ngjarjes kanë gjetur 2 gëzhoja, ndërkohë që i plagosuri është qëlluar me qytën e pistoletës në kokë.
Mësohet se pas këtij konflikti janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri të cilat kanë qenë në ajër.
Ende nuk është i qartë motivi, dhe shkaku i këtij konflikti.
Ndërkohë 2 autorët e kësaj ngjarje janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Sipas Policisë 2 autorët janë identifikuar, por për arsye hetimi nuk bëhet i ditur identiteti i tyre.
Policia gjithashtu ka ngritur grupe kontrolli dhe po punon për kapjen e tyre.
Njoftimi i policisë:
Informacion paraprak
Rreth orës 11:00, në aksin rrugorë Orikum-Vlorë, pranë vendit të quajtur “Nënstacioni i Radhimës” dyshohet se si pasojë e një konflikti ka mbetur i plagosur lehtë me sende të forta shtetasi D.K., 32 vjeç, banues në Radhimë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka identifikuar dy autorët e ngjarjes të cilët për arsye hetimi nuk bëhen të ditur për momentin.
Janë organizuar grupe të posaçme policore të cilat janë shpërndarë në qytet me qëllim kapjen e autorëve.
Sektori i Hetimit në bashkëpunim me Komisariatin Vlorë vazhdojnë hetimet e mëtejshme për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.








































