Prokuroria e Përgjithshme ka përgjuar rreth 5500 persona të cilët janë vënë nën hetim për vepra të ndryshme penale. Gazeta “Sot” ka siguruar raportin e plotë të prokurorisë mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2019.
Sipas raportit, bëhet me dije se gjatë vitit që lamë pas janë ekzekutuar gjithsej 2.714 vendime për përgjim të autorizuara nga gjykata në hetimet paraprake, aplikuar në lidhje me 717 procedime penale. Nga këto, 141 procedime penale kanë qenë në kuadër të hetimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda. “Në shifra të përgjithshme, gjatë vitit 2019 janë ekzekutuar gjithsej 2714 vendime për përgjim të autorizuara nga gjykata në hetimet paraprake, aplikuar në lidhje me 717 procedime penale. Nga këto, 141 procedime penale kanë qenë në kuadër të hetimeve të prokurorisë për krime të rënda. Për sa më sipër është mundësuar interceptimi për 5574 persona të dyshuar si të përfshirë në vepra penale”, thuhet në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme.
Veprat penale për të cilën këta persona janë përgjuar nga ana e prokurorisë janë nga më të ndryshmet, çka ka sjellë edhe hetim paraprak të tyre. Kështu, sipas raportit të siguruar nga gazeta theksohet se 83 prej tyre janë të akuzuar për shpërdorim detyre, ndërsa 139 të tjerë për veprën penale krim kundër personit. Një tjetër vepër që ka vënë nën hetim 267 persona është veprimtaria në fushën e narkotikes si dhe 8 të tjerë të akuzuar për veprime terroriste. Për trafikimin e qenieve njerëzore janë vënë nën hetim pas përgjimeve nga prokuroria 45 persona, si dhe 14 të tjerë për veprën penale të falsifikimit dhe pastrimit të parave. Për krimet seksuale, Prokuroria e Përgjithshme ka vënë nën hetim 17 persona, për vjedhje dhe mashtrim 62 persona, ndërsa për krimin kundër pronës janë hetuar 40 individë. Kurse për kalimin e paligjshëm të kufirit, prokuroria ka vënë nën hetim 12 persona. Nga shifrat e mësipërme, numrin më të lartë të personave nën hetim e kanë pasur personat që janë kapur nga përgjimet dhe janë akuzuar për veprën penale të kultivimit të narkotikës.
Në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme theksohet se gjatë vitit që lamë pas autoritetet përkatëse kanë arritur të arrestojnë 713 persona të cilët janë akuzuar për krime kundër rendit dhe sigurisë publike, apo edhe vepra të thera penale. “Gjatë vitit 2019, në kuadrin e 717 procedimeve penale, me anë të përdorimit të mjeteve të posaçme hetimore, në zbatim të kritereve ligjore, është arritur në arrestimi/ndalimi i 713 personave të dyshuar për krime kundër rendit dhe sigurisë publike, kundër jetës dhe kundër autoritetit të shtetit, dhe për vepra penale kundër lirisë së personit, në fushën e narkotikëve, korrupsion e shpërdorim detyre, trafiqeve apo vepra të tjera të rënda, duke parandaluar kështu pasoja e mëtejshme për shtetin dhe shtetasit”, thuhet në raportin vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme të siguruar nga gazeta.











































