Prokuroria e Posaçme ka marrë në dorëzim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda plot 795 dosje. Në fund të vitit që lamë pas, Krimet e Rënda u shkrinë dhe të gjitha çështjet u transferuan te SPAK, por nuk pati asnjë të dhënë zyrtare mbi dosjet që kanë kaluar te kjo prokurori. Në raportin vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2019, jepen detaje mbi hetimet e Krimeve të Rënda. Deri në dhjetor kjo prokurori ka pasur në dorëzim 795 dosje, të cilat më pas u transferuan te SPAK.
Ndërkohë në raport janë dhënë dhe detaje për transferimin e dosjeve. “Në periudhën Nëntor-Dhjetor 2019, në prag të krijimit të Prokurorisë së Posaçme, krahas punës intensive të prokurorëve të ngarkuar me ndjekjen e çështjeve, paralelisht u morën masat administrative dhe procedurale penale për garantimin e një procesi efektiv të transferimit të çështjeve nga prokuroritë e shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm në Prokurorinë e Posaçme dhe nga Prokuroria për Krime të Rënda në prokuroritë e shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm, duke ndjekur kompetencën lëndore e tokësore përkatëse. Për këtë qëllim, Prokurori i Përgjithshëm miratoi udhëzimin e përgjithshëm nr. 9/2019, me anë të të cilit, me krijimin dhe fillimin e funksionimit të Prokurorisë së Posaçme, në mënyrë të unifikuar u sigurua transferimi i çështjeve, duke u garantuar zbatimi i parimit të ligjshmërisë, respektimi i të drejtave dhe lirive të personave nën hetim, të pandehurve dhe viktimave, ruajtja e sekretit të hetimeve dhe vijueshmëria e ushtrimit të ndjekjes penale në çështjet e transferuara”, thuhet në raport.
Më tej bëhet e ditur se një pjesë e dosjeve në fjalë, janë dosje për hetim pasuror. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda në periudhën Janar-18 Dhjetor 2019, ka regjistruar gjithsej 196 referime për hetime pasurore, përveç atyre të mbartura nga viti 2018. Të gjitha këto dosje janë transferuar më pas në SPAK. “Në këtë periudhë, në zbatim të ligjit antimafia, prokuroria ka paraqitur në gjykatë 4 (katër) kërkesa për konfiskim të cilat janë në proces gjykimi, si dhe janë pranuar nga gjykata 9 (nëntë) kërkesa të prokurorisë për sekuestrim pasurie, ose krahasuar me vitit 2018 me rritje 28 % të kërkesave të pranuara nga gjykata për sekuestrime pasurore. Kërkesat për konfiskimet dhe kërkesat e pranuara nga gjykata për sekuestrime pasurore në zbatim të ligjit nr. 10192/2009 dhe vlerat në euro, dollarë e në lekë, pasuri të paluajtshme e të luajtshme të sekuestruara dhe pasuritë e kërkuara në gjykatë për
konfiskim, janë të listuara në Aneksin 1, bashkëlidhur. Me krijimin dhe fillimin e funksionimit të Prokurorisë së Posaçme, kryerja sipas kompetencës lëndore për vitin në vijim i hetimeve pasurore në përputhje me ligjin antimafia, përbën një sfidë për prokuroritë me juridiksionit të përgjithshëm”, thuhet në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme, raporton gazeta “SOT”.












































