Ish-kryeministri Sali Berisha duket se e ka humbur shkëlqimin e dikurshëm. Jo më shumë se një vit më parë në zyrën e tij hynin e dilnin çdo ditë ambasadorë të rëndësishëm, përfshirë dhe ata të BE dhe SHBA, por tashmë të vetmit që begenisin plakun e PD janë Lek Plepi dhe “Ujku i Cërrikut”.
Pasi u rrëzua nga pushteti dhe u dorëhoq nga kreu i Partisë Demokratike në vitin 2013, ish-kryeministri Berisha vijoi të ruante karizmën, pavarësisht se i kishte humbur këto ofiqe. Të shumtë ishin diplomatët që përgjatë këtyre viteve që PD është në opozitë, para se të shkonin të takonin shefin e selisë blu, nxitonin që të takon Berishën fillimisht e më pas kryedemokratin Lulzim Basha. Pra duke treguar qartë se ish-kryeministri gëzonte ende popullaritet tek ta. Por që pas deklaratës së kryeministrit nga salla e Parlamentit se Berisha nuk e kalon dot Atlantikun sepse ka hyrë në listën e zezë të amerikanëve, asnjë ambasador i rëndësishëm nuk ka shkelur në zyrën e tij.
Nëse deri para pak kohësh në fillimet e saj ish-ambasadorja e delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin bënte takime të shpeshta puna me ish-kryeministrin Berisha, raportet mes këtyre dy personazheve gjatë fundit të karrierës së kryediplomates së BE në Tiranë u agravuan tej mase. Për pasojë zonja Vlahutin nuk e takoi më Berishën, ndërsa ky i fundit artikuloi akuza nga më të rëndët në adresë të saj. Por duket se në gjurmët e Vlahutinit po ecën edhe ambasadori aktual i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigji Soreca, i cili qysh kur ka ardhur në Shqipëri nuk e ka takuar ndonjëherë ish-kryeministrin Sali Berisha, duke treguar se ai nuk është më një politikan për të cilin lipset nevoja për ta takuar edhe konsultuar për zhvillimet politike në vend. Kështu që, nëse deri më dje përfaqësuesit e Brukselit kishin konsideratë për Berishën dhe e takonin këtë shpesh, ndonëse ai ishte vetëm një deputet i thjeshtë dhe jo kreu i Partisë Demokratike, situata tanimë ka ndryshuar, pasi ish-kryeministri është lënë në harresë.
Ndërkohë, e njëjta situatë është edhe sa i takon qasjes që kanë ambasadorët e SHBA në Tiranë me Berishën. Dikur ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu e takonte dhe konsultohej shpesh me Berishën, madje edhe para se të linte detyrën në Shqipëri ai zhvilloi një takim lamtumire me të. Mirëpo, tani përfaqësuesit e Uashingtonit duket se e kanë braktisur totalisht ish-kreun e PD. Të paktën kjo është panorama deri më tani, pasi qysh kur ka ardhur në Shqipëri ambasadorja e re e SHBA, Yuri Kim, ajo nuk ka denjuar që t’i shkojë në zyrë Berishës apo ta thërrasë në takim, ndërkohë që nuk ka lënë asnjë politikan pa takuar. Kjo do të thotë se si amerikanët ashtu edhe evropianët e kanë injoruar totalisht ish-kryeministrin. Pra, duket qartë që asnjë përfaqësues i SHBA dhe BE nuk i shkon më në zyrë plakut të PD, pas “bllokimit të vizës”. Berisha është ai i cili bën thirrje për kaos, revolta e dhunë. Po ashtu po përhap panik këto ditë të vështira, por ndërkombëtarët e kanë lënë në “çmendurinë” e tij, duke mos ja vënë fare veshin.
Por e gjithë kjo panoramë, nxjerrë në pah se tanimë i preferuari i Uashingtonit dhe Brukselit është kryedemokrati Lulzim Basha, me të cilin ambasadorët e SHBA dhe BE takohen e konsultohen shpesh. Ç’ka do të thotë se tanimë lider i Partisë Demokratike është Basha, pasi ky jovetëm që ka nën kontroll partinë sepse shumica e krerëve të PD janë njerëz të tij, por edhe për faktin se ai është distancuar totalisht nga retorika e Berishës. Që pas revoltave të një viti më parë e deri më tani, Basha është rreshtua krah SHBA dhe BE duke refuzuar planet e Berishës, çka do të thotë se ish-kryeministrit po i ikën partia nga duart dhe kjo falë dhe ndërkombëtarëve.









































