Google search engine
Home Politike Drejtesi Pushtetarët vijojnë të jenë imunë për aferat, gjatë vitit 2019 vetëm 91...

Pushtetarët vijojnë të jenë imunë për aferat, gjatë vitit 2019 vetëm 91 zyrtarë të nivelit të ulët nën hetim për korrupsion, ja statistikat

0
446

Plot 91 zyrtarë janë vënë nën hetim nga prokuroria gjatë vitit 2019 të dyshuar si të përfshirë në afera korruptive. Gazeta “SOT” ka siguruar raportin vjetor e dërguar në Kuvend nga Prokuroria e Përgjithshme për vitin që lamë pas, teksa bëhet e ditur se në kuadër të luftës ndaj korrupsionit ka nisur procedimi penal për 91 zyrtarët, ku 13 procedime i përkasin Prokurorisë për Krime të Rënda dhe 78 procedime i përkasin prokurorive pranë gjykatave të shkallëve të para të përgjithshëm. “Në zbatimin e këtij rekomandimi për “Forcimin e luftës kundër korrupsionit nëpërmjet zbatimit më të mirë të procedurave të hetimit proaktiv dhe përdorimit të teknikave speciale të hetimit”, gjatë vitit 2019, për veprat penale kundër korrupsionit, prokuroria në bashkëpunim me agjencitë e zbatimit të ligjit ka kryer hetime proaktive, me përdorim të mjeteve të posaçme të hetimit në kuadrin e 91 procedimeve penale ose krahasuar me vitin 2018 me shifra në rritje të procedimeve që i përkasin prokurorive me juridiksion të përgjithshëm. Referuar kompetencës lëndore, 13 procedime i përkasin Prokurorisë për Krime të Rënda dhe 78 procedime i përkasin prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm”, thuhet në raport. Po ashtu, në raportin e prokurorisë thuhet se në kuadër të luftës kundër korrupsionit, Prokuroria e Përgjithshme dhe ajo e Krimeve të Rënda kanë kryer hetime të thella për plot 72 zyrtarë, të cilët janë përfshirë në korrupsion dhe shpërdorim detyre, ndërsa bëhet e ditur se shumica e tyre janë arrestuar në flagrancë. “Në këtë veprimtari të hetimeve proaktive, prokurorët kanë patur rol aktiv në procesin për grumbullimin, administrimin e fakteve/provave që i kanë shërbyer, si parandalimit dhe/ose ndërprerjes të veprimtarisë së mëtejshme kriminale, ashtu dhe goditjes/finalizimit me arrestimin në flagrancë apo ndalimin e 72 personave autor të dyshuar të përfshirë në kryerjen e veprave penale, si të korrupsionit, ashtu dhe të shpërdorimit të detyrës, etj, prej të cilave 7 persona/autor të dyshuar i përkasin kompetencës së Prokurorisë për Krime të Rënda dhe 65 persona/autor të dyshuar në kompetencë të prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm”, thuhet në raport.

Politikanët jashtë radarit të prokurorisë

Por pavarësisht faktit që janë vënë në hetim plot 91 zyrtarë, në raportin vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2019 bie në sy fakti që politikanët vijojnë të mbeten jashtë radarit të institucionit të akuzës. Në raportin që disponon gazeta thuhet se gjatë vitit që lamë pas janë vënë në hetim dhe janë dënuar vetëm tre zyrtarë të nivelit të lartë. Bëhet fjalë për dy ish-gjyqtarët dhe ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. “Për veprën penale “Korrupsioni pasiv në sektorin privat” është rritur 1 (një) herë numri i procedimeve të regjistruara dhe është rritur 2 (dy) herë numri i personave të dërguar për gjykim, krahasuar me vitin 2018. Për korrupsion në nivele të larta, referuar kërkesave të prokurorëve dhe vendimeve të Gjykatës së shkallës së parë për krime të rënda, për vitin 2019 veçojmë të përmendim, disa raste, siç janë: deklarimi fajtor dhe dënimi i 3 (tre) ish-gjyqtarëve të apelit, secili, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”; -: deklarimi fajtor dhe dënimi i 1 (një) ish-gjyqtari i shkallës së parë, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”; dhe -: deklarimi fajtor dhe dënimi i 1 (një) ish-ministër (i brendshëm), për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës””, thuhet në raport. Megjithatë, po të shohësh raportin bie në sy fakti që politikanë, ministra, ish-ministra, deputetë dhe ish-deputetë janë imun ndaj drejtësisë. Edhe rasti që përmendet në raport i ish-ministrit Tahiri, vlen të theksohet se ky i fundit nuk është dënuar me burg, por me shërbim prove. Pra, duket qartë që edhe për vitin që lamë pas, politikanët dhe zyrtarët e lartë ia kanë hedhur paq, ndryshe nga zyrtarët e nivelit të dytë që janë vënë në hetim.

Rritet numri i procedimeve krahasuar me 2018

Megjithatë, në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme dërguar Kuvendit bëhet e ditur se se në krahasim me vitin 2018, gjatë vitit 2019 ka një rritje të procedimeve penale ndaj zyrtarëve që dyshohet se janë përfshirë në korrupsion. “Në zbatim të këtij rekomandimi të rezolutës, referuar të dhënave statistikore për vitin 2019 rezulton se, përqindjen më të lartë në procedimet e regjistruara për veprat penale të korrupsionit e zë neni 259 i Kodit Penal “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e konkretisht 33,5 % të totalit të procedimeve për korrupsion, ndërsa në procedimet e dërguara për gjykim për këtë vepër është rritur numri i personave 29,4 %, krahasuar me vitin 2018”, thuhet në raportin vjetor të Prokurorisë që disponon gazeta.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here