Google search engine
Home Rajoni Kosova Presidenti Thaçi kërkoi caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë së re,...

Presidenti Thaçi kërkoi caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë së re, vjen dhe përgjigjja e Albin Kurtit

0
332

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë, do t’i përgjigjet “me kohë” presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në lidhje me kërkesën e tij për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë së re.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, i cili tha për “Radio Evropa e Lirë” se kryeministri Kurti do t’u përgjigjet letrave (kërkesave) të presidentit Thaçi.

Kërkesa e Thaçit, për caktimin e mandatarit për qeverinë e re bazohet në votimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, më 25 mars në Kuvend, prej kur kjo qeveri konsiderohet se është në dorëheqje, përkatësisht në detyrë.

Presidenti i Kosovës, zhvilloi javën e kaluar takime të ndara me liderët e të gjitha partive politike, por duke u bazuar në Kushtetutë dhe rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit 2019, mundësinë e caktimit të mandatarit për kryeministër ia ofroi Lëvizjes Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve.

Kryeziu tha se për momentin prioritet i qeverisë dhe kryeministrit Kurti mbetet angazhimi në përballjen me pandeminë e koronavirusit.

“Duke marrë parasysh rëndësinë jetike të betejës kundër virusit COVID-19, prioriteti i parë i kryeministrit dhe i gjithë qeverisë është i përqendruar në menaxhimin e kësaj pandemie, në mbrojtje të jetës dhe shëndetit të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Përballë kësaj sfide, çdo çështje politike apo partiake duhet konsideruar e rëndësisë dytësore dhe tretësore”, theksoi Kryeziu.

Por, edhe Thaçi, theksoi Kryeziu, do të ketë përgjigjen e Kurtit se si e sheh lideri i Vetëvendosjes zgjidhjen në lidhje me situatën e krijuar pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë në kuvend.

“Përkundër të gjithave, zoti Kurti, në cilësinë e tij si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, do të gjejë një mundësi adekuate dhe jo të largët për të analizuar, me kujdesin e duhur, letrat e dërguara nga presidenti, si dhe për t’iu kthyer përgjigje atyre”, tha Kryeziu.

Në komunikimin e javës së kaluar ndërmjet Thaçit dhe Kurtit, ky i fundit i kishte kërkuar presidentit që të marrë parasysh vetëm një opsion, atë të shpërndarjes së kuvendit dhe shpalljes së zgjedhjeve, por pasi që të ketë përfunduar e gjithë situata e krijuar me koronavirusin e ri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here