Ish kryeministri Sali Berisha gjatë këtyre ditëve të fundit ka shtuar dozën e panikut tek qytetarët shqiptar mbi numrin e të infektuarve dhe të viktimave që janë shënuar nga COVID-19. Për avokat Spartak Ngjelën, ish kryeministri e ka humbur ekuilibrin mendor dhe në këtë mënyrë po përhap panik tek shtetasit e vet.
Në një reagim për gazetën “SOT”, avokati shtoi se ish kryeministri është i tmerruar nga drejtësia e re në vend, duke shtuar se Berisha ka hallin e pasurisë së tij dhe të gjithë familjes, të cilën sipas Ngjelës e kanë vënë në mënyrë korruptive. “Sali Berisha po përhap panik sepse kuptohet që është në hall; por, cili është halli i tij? Ambasadorja amerikane po tenton për të vazhduar plotësimin e institucioneve që do vijnë nga reforma në drejtësi, plotësimin e plotë të SPAK-ut. Kjo sigurisht e tremb Berishën dhe të gjithë pushtetarët që janë të akuzuar për abuzim me pushtetin në funksion të korrupsionit. Kjo është arsyeja që ai po kërkon me çdo kusht të krijoj panik. Por, Berisha kuptohet se ka humbur ekuilibrin mendor, se vetëm një njeri që ka humbur ekuilibrin mendor mund të sillet kështu me popullin e vet. Por është në hall. Halli i tij është korrupsioni i tij dhe i gjithë familjes së tij. Këtë këta nuk mund ta shpëtojnë dot, dhe mendojnë për një vdekje masive të shqiptarëve me anë të shpërthimit tërësor të pandemisë. Kjo nuk mund të ndodhë, dhe është dhe tabori i tij që patjetër do t’i dorëzoj të gjitha pronat që ai dhe familja e tij ka vënë gjatë kohës që ky ka qenë kryeministër”, tha Ngjela. Sipas avokatit, asnjë nga kryeministrat që kanë qeverisur ndër vite nuk do t’i shpëtojnë dot sekuestrimit të pasurisë. “Kjo sot është e mbyllur; dhe askush nga këta kryeministra nuk do të shpëtojë dot nga shpronësimi. Prandaj ky është opinioni im duke u nisur nga mënyra sesi po i drejtohet shqiptarëve këto ditë epidemikë, kur shqiptarët kërcënohen me vdekje”, tha Ngjela.
Më tej, avokati u shpreh se Europa Perëndimore ka një normë që një kryeministër nuk mund të bëjë pasuri marramendëse gjatë kohës që drejton qeverinë, duke shtuar se ambasadorja e SHBA dhe SPAK i kanë futur frikën. “Berisha e di që është nën akuzë, e di që të gjitha pronat ai dhe familja e tij i kanë bërë mbasi është bërë ky kryeministër dhe nuk mund t’i gëzojnë dot: e ka të pamundur në mënyrë absolute. Ka një normë në Europën Perëndimore, e cila nuk shkelet nga drejtësia dhe që është kjo: Kryeministri nuk mund të bëjë prona duke qenë kryeministër! Të gjitha paratë dhe të gjitha pronat familja e tij i ka bërë kur ky ka qenë kryeministër. Dhe kjo e tremb. Por një tjetër fakt që e tremb është se ambasadorja amerikane është hedhur përsëri në sulm për ngritjen e institucioneve të tjera të SPAK-ut, plotësimin e institucioneve me personelin e duhur. Të shohim se si do precipitojnë ngjarjet. Askush në Shqipëri nuk duhet të harrojë se politika e lartë amerikanë i është zotuar shqiptarëve botërisht disa herë së ajo do ta kryejë përfundimisht reformën antikorrupsion në Shqipëri”, tha Ngjela për gazetën.
Ndërsa duke iu referuar elozheve që presidenti Ilir Meta po i thur kryeministrit Edi Rama dhe ministrave të kabinetit të tij, Ngjela u shpreh se edhe kreu i shtetit është i zhytur në korrupsion dhe sipas tij nuk mund të ketë asnjë kompromis me politikat ndërkombëtare mbi shkeljet e rënda që i ka bërë Kushtetutës. Avokati shtoi në reagimin e tij se Meta dhe Berisha janë në unison me njëri tjetrin për të mbrojtur pasuritë e tyre dhe për të shkatërruar vendin, duke theksuar se një gjë të tillë nuk kanë për ta arritur asnjëherë. Për avokatin, si Berisha ashtu edhe Meta kanë hesape për të larë me drejtësinë në vend. “Edhe presidenti Ilir Meta është i trembur. Nuk mund të ketë kompromis për shkeljet e Kushtetutës që ka bërë Meta. Ndihet i trembur dhe është në tërheqje. Nuk shpëton dot, pronat do t’i dorëzoj edhe ai. Nuk ka mundësi tjetër. Këta kanë bërë pallate duke qenë kryeministra. Ka marrë fund kjo çështje, tani është e mbyllur: reforma në drejtësi është formuluar për shpronësimin e abuzueseve më pushtetin. Çështja që ngrihet sot është kjo: Ose do shpronësohen këta të korruptuar, ose do të shkatërrohet Shqipëria. Si mendoni ju: do shkatërrohet Shqipëria apo do shpronësohen këta që kanë marrë paratë me korrupsion ndaj shtetit shqiptar? Këta të korruptuar mendojnë që do shkatërrohet Shqipëria. Nuk shkatërrohet dot Shqipëria , dhe këta nuk vijë dot më në pushtet”, u shpreh avokat Spartak Ngjela për gazetën.









































