Qeveria ka vendosur të pezullojë afatet për kryerjen e veprimeve procedurale të përmbaruesve gjyqësorë shtetërorë apo privatë. Vendimi argumentohet me faktin se ka për qëllim mbrojtjen e interesave të ligjshme të shtetasve që mund të cenohen për shkak të veprimtarisë së shërbimit përmbarimor gjyqësor. Po ashtu janë pezulluar procedurat e ndërmjetësimit apo administrimit për shpalljen e falimentimit deri në qetësimin e situatës nga COVID-19. “Nga data e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ deri në përfundimin e gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga përhapja e COVID-19 pezullohen afatet për kryerjen e veprimeve procedurale të përmbaruesit gjyqësor shtetëror apo privat, ndërmjetësit dhe administratorit në procedurat e falimentimit. Kur afatet për kryerjen e veprimeve procedurale sipas parashikimit të legjislacionit në fuqi fillojnë gjatë periudhës së pezullimit, ato shtyhen deri në përfundimin e gjendjes së epidemisë”, përcaktohet në aktin normativ të qeverisë.
Po ashtu, ndryshimet parashikojnë gjithashtu edhe rastet kur ky akt nuk do të zbatohet. “Për ekzekutimin e titujve ekzekutivë që rrjedhin nga çështje familjare, me objekt kujdesin, detyrimet dhe respektimin e të drejtave të të miturve, kujdestarinë, birësimin, ushtrimin e përgjegjësisë prindërore, përkujdesjen dhe detyrimet për ushqim; Për ekzekutimin e titujve ekzekutivë, me objekt urdhrat e mbrojtjes dhe urdhrat e menjëhershëm të mbrojtjes; Për ekzekutimin e titujve ekzekutivë, me objekt masat e sigurimit të padisë për çështje administrative dhe për çështjet civile, në të cilat gjykata ka dhënë vendim për sigurimin e padisë ose vendim me ekzekutim të përkohshëm, kur nga vonesa e ekzekutimit ose e kryerjes së veprimeve procedurale bëhet i pamundur ekzekutimi i këtyre titujve ekzekutivë, pas përfundimit të gjendjes së epidemisë; Nëse është e domosdoshme shmangia e dëmtimit të masës së falimentimit; Për ndërmjetësimin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në fushën penale, kur gjatë hetimit vlerësohet si e nevojshme për mbrojtjen e interesave të të miturit”, thuhet në aktin normativ.
Akti normativ përcakton gjithashtu se gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga përhapja e COVID-19, në funksion të zbatimit të rregullave nënligjore të nxjerra nga organet përgjegjëse shtetërore, organet e shërbimit përmbarimor shtetëror dhe privat, të ndërmjetësve dhe administratorëve të falimentimit, në të gjitha rastet, duhet të marrin masa organizative të posaçme për të shmangur grumbullimet, kontaktet e ngushta ndërmjet individëve, si dhe praninë e publikut në ambientet e ushtrimit të aktivitetit të përmbaruesit gjyqësor, ndërmjetësit dhe administratorit të falimentimit.








































