Mesditën e sotme është shoqëruar në drejtorinë e policisë së Tiranës drejtori i burgut 313 në kryeqytet. Shoqërimi i drejtorit Eduart Struga është bërë pasi dyshohet se ai është përfshirë në korrupsion.
Zyrtarisht policia nuk ka dhënë shumë detaje në lidhje me shoqërimin e Strugës, por në orët në vijim uniformat blu pritet që të dalin me një komunikatë zyrtare. Burime policore bëjnë me dije për gazetën “SOT”, se drejtori është përfshirë në korrupsionin e një tenderi.
Sipas burimeve ka qenë një hetim 3 mujor i prokurorisë që ka zbuluar korrupsionin mbi një tender. Jo zyrtarisht burime nga policia e Shtetit i thanë gazetës “SOT” se në orët në vijim pritet shoqërimi i disa zyrtarëve të tjerë në burgun 313 që kanë abuzuar me tendera.
Policisë Kriminale ka marrë informacion në rrugë operative pranë drejtorisë dhe vuri në lëvizje prokurorinë e cila zhvilloi edhe përgjime në këtë hetim, duke çuar në shoqërimin në polici të drejtorit të burgut.








































