Google search engine
Home Aktualitet Regjisorët: Arti në ballë të rikthimit të jetës në shoqëri, sapo kjo...

Regjisorët: Arti në ballë të rikthimit të jetës në shoqëri, sapo kjo situatë të kalojë

0
484

Jeta artistike në vend është ndërprerë për shkak të situatës që po kalon vendi ynë, ku jo pak projekte artistike u lanë në mes. Në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit tonë teatrot kanë pezulluar shfaqjet, që ishin menduar si pjesë e kalendarit artistik gjatë këtij sezoni. Por për artistë të ndryshëm arti do të jetë në qendër të rikthimit të jetës në shoqëri. Ata shprehen se kjo është një situatë ku secili duhet të zbatojë rregullat që janë vënë, por me kalimin e saj arti merr jo pak rëndësi në jetën e vendit. Artistë dhe regjisorë të ndryshëm shprehen se duhet durim dhe jeta do ti rikthehet normalitetit. Regjisori i njohur teatrit Armand Bora pohon se institucionet e artit në vend duhet të kenë në vëmendje se çfarë do të ndodhë në vijim me aktivitetin. Me shpresën se çdo gjë do të kalojë dhe jeta do ti rikthehet më pas normalitetit, regjisori Bora shton se gjithçka është vendimmarrje e institucioneve tona. “Në bazë të situatës do të shihet dhe do të vendoset nëse do të ketë të njëjtin ritëm jeta artistike në vend apo do të ketë diçka më speciale. Ndoshta mund të realizohen dhe shfaqje në ambiente të hapura jo të mbyllura. Këto gjëra janë vendimmarrje të institucioneve drejtuese dhe nuk janë personale. Por arti do të jetë në ballë të rikthimit të jetës në shoqëri sapo kjo situatë të kalojë”, shprehet regjisori njohur Armand Bora. Në punën e tij me teatrin regjisori Armand Bora ka sjellë në skenë vepra të ndryshme teatrore, drama dhe komedi që janë mirëpritur nga publiku. Në planet e tij me teatrin regjisori Bora ka një premierë teatrore, për të cilën shpreson që sa më shpejt ta sjellë në skenë për publikun.

Hapësira për zhvillimin e artit

Shoqëria jonë ka nevojë për artin, por për artistët pasi të kalojë kjo gjendje duhet menduar se si të gjenden forma të ndryshme për zhvillimin e artit. Regjisor dhe aktor Endri Çela shprehet se artistët gjatë këtyre ditëve kanë përcjellë mesazhet e tyre përmes artit sipas mundësive që kanë, duke treguar që arti është dhe një mënyrë shpëtimi. “Këto ditë kemi parë shpesh njerëz të ndryshëm,që të dalin në dritaret apo ballkonet e tyre për të përformuar një këngë, kërcim apo diçka tjetër artistike. Të tjerë online nga brenda shtëpisë. Kjo tregon që kemi përherë nevojë për art, sepse arti është një mënyrë shpëtimi nga e tashmja”, thotë mes të tjerave Endri Çela, i cili më parë në sezonin artistik nuk ka munguar për publikun me shfaqjet e tij në skena. Regjisori shprehet se uron që gjithçka të përfundojë dhe jeta ti rikthehet normalitetit në vend, por kur flasim për shfaqjet ai shton se nëse kjo situatë kalon edhe sezoni i verës mund të jetë me aktivitete artistike. Për regjisorin dhe aktorin Endri Çela, shfaqjet nuk mund të jenë vetëm në skena të mbyllura, por edhe jashtë teatrove. “Parashikoj që shoqëria pas karantinimit, ka për të qenë e etur për forma të ndryshme argëtimi Unë mendoj që pse jo sivjet gjatë sezonit të verës të mos gjenden hapësira të reja skenike, jashtë mureve të teatrit, për të plotësuar nevojën e munguar për art”, vijon më tej regjisori Endri Çela në reagimin e tij. Së fundi në skenën teatrore regjisori Endri Çela solli për publikun shfaqjen teatrore “Epsh dhe Lakmi”, që ishte një produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Premiera e shfaqjes ishte në dhjetor, ndërsa në janar dhe mars kur ende nuk ishin pezulluar veprimtaritë për shkak të situatës me koronavirusin në vend, me këtë vepër u realizua një tur në Elbasan dhe Fier.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here