Kryeministri Edi Rama ka ndarë pak çaste më parë një letër që i ka shkruar një mjeke shqiptare në Itali pas ekipit mjekësor që vendi jonë nisi në ndihmë të vendit fqinj.
Teksa falënderon stafin mjekësor për këtë gjest të pashembullt, doktoresha iu bën thirrje gjithë shqiptarëve që të qëndrojë në shtëpi dhe të zbatojnë masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare.
Postimi i plotë:
I Nderuar Kryeminister Rama,
Askujt nuk i shkonte ndërmend që Shqipëria, vendi i vogël përtej Adriatikut, i goditur vetëm pak muaj më parë nga tragjedia e tërmetit shkatërrimtar, të mund të gjente forcën e resurset e të dërgonte një ekip mjekësor prej 30 vetësh, për t’i qëndruar pranë mikes së vjetër e të shtrenjtë të të gjithë shqiptarëve, Italisë.
Dita e re, këtu në provincën e Trevizos, të gjithë shqiptarëve, ne veçanti ne mjekëve shqiptarë qe jetojmë e punojmë në Itali, na gjeti krenar!
Këta kolegë, me punën e tyre në shërbim të mbrojtjes së jetës, janë dëshmi e një prej cilësive më fisnike të popullit shqiptar…ndihmesën e mikut në ditë të vështira.
Në çastet më të errëta të dallgëve të historisë, ne shqipëtarët kemi treguar virtytet tona më të mira.
Jemi duke jetuar ditë të vështira, në një betejë që kërkon sakrificë prej secilit prej nesh.
Nëse këta kolegë kanë lënë pas familjet e shtëpitë e tyre, në emër të betimit të shenjtë në mbrojtje të jetës, ju lutem të gjithë ju të tjerëve të qëndroni në shtëpi!
Të kemi të gjithë besim tek masat mbrojtëse të menjëhershme që institucionet e Shqipërise ditën të ndërmerrnin, të cilat i përgëzoj.
Për të mirën tonë, të familjarëve e të afërmve tanë, në respekt të sakrificës e punës së gjithë mjekëve, që fitorja e kësaj beteje të jetë sa më e afërt…QËNDRONI NË SHTËPI!!
Dr.ssa Kozeta Proko
Responsabile settore Ematologia e Autoimmunita’
Laboratorio Analisi di Castelfranco Veneto e Montebelluna
Distretto Asolo – ULSS n.2 della Marca Trevigiana








































