Në një lidhje të drejtëpërdrejtë për Euronews Albania mjeku infeksionist Pëllumb Pipero ka zbuluar disa detaje për mjekimet që përdoren në Shqipëri për të luftuar koronavirusin e ri.
Pipero u shpreh se për sa kohë nuk ka një mjekim apo medikament të çertifikuar anti Covid-19, secili nga ekipet mjekësore mbështetur në ecurinë e kësaj sëmundjeje ka përdorur medikamente të ndryshme.
“Medikamentet kanë në bazë së pari principin anti-viral sepse kemi të bëjmë me një virus. Së dyti kanë për bazë principin anti-inflamator sepse kemi të bëjmë me infeksion në trupin e këtyre njerëzve. Së treti kanë efektin imuno-deprsiv sepse është vënë re një përgjigje imunitare e shtuar ose jo adekuate. Kanë në bazë principin e mjekimit suportiv sepse pacientëve i nevojitet oksigjen. Gjithashtu kanë principin anti-ankthioz, anti-panik për shkak se pjesa më e madhe e tyre nuk flenë gjumë, kanë shumë frikë janë shumë të shqetësuar. Bazuar në këto faktorë ne kemi aplikuar një mënyrë mjekimi që ka rezultuar mjaft efektive. Përdorim dy anti-viralë, një ose dy antibiotikë përfshirë dhe azitromicinën që është bërë e famshme tani. Përdorim oksigjeno-terapinë, medikamente për të holluar gjakun sepse kjo sëmundje shkakton trompe. Përdorim qetësues të aspektit ankthioz. është një trajtim mjaft kompleks. Përdorim edhe kortizonik sipas rastit për të deprimuar përgjigjen inflamatore apo përgjigjen e shtuar imunitare”, tregon Pipero për pjesën e mjekimit.






































