Ministrat e Jashtëm të Bashkimin Europian kanë rënë dakord sot që të hapin negociatat për Shqipërinë. Teksa vendi është mbërthyer nga masat kundër koronavirusit, ka ardhur një fije shprese nga Brukseli. Por si duhet lexuar ky vendim? Edhe pse ka shumë kushte që duhen plotësuar, përmbushja e të cilave është në shërbim të popullit shqiptar, sërish kemi një dritë jeshile. Por dakordësia e ministrave të Jashtëm është padyshim një shuplakë ndaj të gjithë skeptikëve në Tiranë, me në krye presidentin Meta.
Teksa deri disa muaj më parë ishte opozita që lobonte dhe çonte emisarë në Bruksel për të bllokuar negociatat, këtë vit ishte presidenti Meta, ai që punoi fort që Shqipëria të mbetej në klasë. Letra ndaj shefit të zgjerimit ishte një dëshmi e qartë se Meta po lobonte fort kundër negociatave. Edhe pse në progres-raport thuhej se Shqipëria po përmbush reformat, Meta dilte kundër dhe tentoi të dërgonte në Bruksel konfliktin e tij me mazhorancën për Gjykatën Kushtetuese.
Përveç kësaj, në çdo dalje mediatike, Meta gjithmonë ka qenë skeptik ëpr negociatat. “Ajo që ka ndodhur praktikisht dhe që Franca, por edhe vende të tjera e kanë bërë evidente e që ka një bazë reale, është që Komisioni Evropian nga një komision teknik shpesh është shfaqur si një komision politik. Ndërsa vendet anëtare nga vendimet politike që do të duhet të merrnin bazuar mbi raportet teknike, janë bërë më teknike, pra nuk i marrin të mirëqena raportet e Komisionit Evropian, por thellohen në ecurinë e reformave, nga letrat në terrenin konkret, në rezultatet e tyre. Duke qenë se nuk u korrespondojnë këto suksese në shumë raste që raporton Komisioni Evropian, vendosin kushte, pasi është në të drejtën e tyre, tërësisht legjitime, që një vend anëtar të mbajë qëndrime të bazuara në fakte dhe standarde”, shprehej Meta në një intervistë që dha javën e parë. Pra BE duket se i dha një goditje të fortë kastës së politikanëve që duan ta mbajnë peng Shqipërinë në mënyrë që ajo të mos ecë përpara.