Mjek infeksionist Arjan Harxhi lidhur me situatën aktuale të koronavirusit në vend, u shpreh se nuk dihet ende nëse virusi transmetohet përmes ajrit dhe tha se mbajtja e maskave rekomandohet për ambientet e mbyllura dhe për personat e prekur.
Mjeku Harxhi e vuri theksin tek pasojat psikologjike të pandemisë që ka prekur globin.
“Masat duhet të jenë ekstreme, tani jemi në një realitet tjetër që duhet ta zbatojmë, që i ngjan atyre të filmave të Hollivudit,” tha mjeku.
“Njerëzit duhet të mësohen që të mos kemi pasoja jo vetëm fizike, por edhe psikologjike,” shtoi ai.
Sipas Harxhit, Shqipëria është me fat që i mori shpejt masat e mbrojtjes ndaj përhapjes së COVID-19, si e vetmja mënyrë e ndërprerjes së zinxhirit.
Pyetur lidhur me përhapjen e virusit nga personat tashmë të shëruar mjeku saktësoi se ata nuk janë më përcjellës të infeksionit.
Duke iu referuar rasteve të pacientëve që kanë rezultuar negativë ndaj koronavirusit në testin e kryer, infeksionisti u shpreh se pozitiviteti i tamponit është 75% dhe se kjo do të thotë që gjithmonë të jemi të kujdesshëm.
Sipas Harxhit kjo vjen pasi infeksioni mund të ndodhet më thellë në organizëm dhe nuk kapet nga testi që mund të bëhet për mukozën apo sekrecionet e gojës.