Të gjitha proceset gjyqësore në vend janë pezulluar pa afat. Fillimisht me anë të një vendimi, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi pezullimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në të gjitha gjykatat e vendit. Por dje, përmes një akti normativ sqarohet se shtyrja e seancave gjyqësore do të jetë të paktën deri në Prill, pa një datë të caktuar. Të gjitha proceset civile administrative dhe penale janë pezulluar me urdhër të KLGJ-së që prej tre javësh. Gjithashtu janë pezulluar edhe afatet për ngritjen e padive, paraqitjen e ankimeve si dhe për kryerjen e çdo veprimi procedural në çështjet administrative, civile dhe penale, me përjashtim të afateve të paraburgimit.
KLGJ ka vendosur të lejojë të zhvillohen vetëm masat e sigurisë sigurisë, si dhe kur të arrestuarit ose të pandehurit kërkojnë shprehimisht që të vijohet me shqyrtimin e tyre. Të gjitha masat e sigurisë do të zhvillohen me dyer të mbyllura pa praninë e publikut. Ndërkohë, në raste emergjente masat e sigurisë do të bëhen me video-konferenca, pra online. Duke qenë se kjo epidemi që preku vendin tonë hyn tek forcat madhore afatet nuk do të merren parasysh, pasi ky vendim hyn tek forcat madhore dhe ligji e parashikon që afatet pezullohen në këto raste.
Sipas dispozitës, gjykata ka të drejtë të pezullojë ose ta shtyjë shqyrtimin gjyqësor. Kusht i domosdoshëm për pezullim ose shtyrje është që të jetë e shkaktuar nga forca madhore. Në teorinë e së drejtës penale është pranuar tashmë se ndodhemi para forcës madhore në rastet e dukurive natyrore si tërmetet, përmbytjet, dëbora apo akulli, zjarret etj.
Këto dukuri duhet të kenë sjellë pasoja të rënda, si bllokim rrugësh, apo pamundësi lëvizjeje në përgjithësi. Shtyrja ose pezullimi natyrisht zgjat deri në zhdukjen e forcës. Nga terminologjia e përdorur nga ligjvënësi, shtyrja ose pezullimi mund të ndodhin me kërkesë të palëve ose kryesisht nga gjykata. Gjykata cakton datën e seancës së re dhe urdhëron që të përsëritet thirrja. Duhet theksuar se, thirrja e përsëritur duhet të përmbushë kriteret e neneve 139 dhe 140 të Kodit të Procedurës Penale. Pritet që proceset gjyqësore në kryeqytet dhe në Durrës të nisin javën e ardhshme, më konkretisht më 2 dhjetor.