Ndërsa rritet numri i viktimave nga koronavirusi, presidenti amerikan Donald Trump i ka dalë kundër autoriteteve të shëndetit dhe parashikon rikthimin e jetës normale ekonomike të vendit pas pak javëve.
Bursat amerikane i kanë ndjerë fort pasojat globale të pandemisë së koronavirusit, duke pësuar rëniet më të forta që nga kriza financiare e 2008-ës.
Sëmundja ngjitëse po përhapet shpejt në SHBA duke infektuar në mënyrë progresive gati 50 mijë veta ndërsa viktimat janë shtuar në afro 600.
Duke parë mijëra vendet e humbura të punës dhe financat e dobëta, presidenti amerikan Donald Trump thotë se masat parandaluese të shpallura nga administrata e tij nuk do ta rëndojnë gjatë vendin.
Normaliteti ekonomik mund të rikthehet në përfundim të periudhës 15-ditore të izolimit.
Sipas tij, një ekonomi e dëmtuar do të shkaktonte më shumë vdekje sesa koronavirusi, duke bërë lidhje mes krizës ekonomike dhe vetëvrasjeve.
“Amerika do i kthehet biznesit shumë shpejt, jo për tre apo katër muajt që sugjeron ndokush. Ky është një problem mjekësor dhe nuk do të lejojmë që të kthehet në një problem afatgjatë financiar,” deklaroi Trump.
Në vend, bilanci i të sëmurëve me Covid-19 është 15-fishuar në harkun e një jave dhe disa shtete, mes tyre Nju-Jorku, raportojnë një krizë spitalore përballë fluksit në shtim të pacientëve.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë thotë se kura për atë që ai e quan “virusi kinez” ka hyrë në fazën e testimit.
“Në Nju-Jork do nisim provat me medikamentet ekzistuese si antimalariku i hidroksiklorokinës dhe me antibiotikun azitromicinë. 10 mijë njësi të tilla do u shpërndahen spitaleve nga nesër,” njoftoi Trump.
Ilaçet ekzistuese shihen si zgjidhja më imediate për koronavirusin, në mungesë të një vaksine.
Ekspertët kanë paralajmëruar se 20 deri 60 për qind e popullsisë prej 330 milionë banorë mund të infektohet nëse nuk respektohet karantinimi, dhe në rastin më të keq qindra mijë amerikanë do të humbnin jetën.







































