Shkarkimet e gjykatësve dhe prokurorëve për shkak të vetingut ka sjellë në ngërç në sistemin gjyqësor në vend. Në një kohë kur Gjykata Kushtetuese po vijon të përplasë palët politike mbi përzgjedhjen e anëtarëve, Gjykata e Lartë ende nuk është ngritur. Por përveç Gjykatës së Lartë, edhe Gjykata e Posaçme ka mungesë të prokurorëve. Në këto kushte, Këshilli i Lartë Gjyqësor është hedhur në aksion për t’i dhënë fund ngërçit dhe të plotësojë të gjitha vakancat e nevojshme. Në faqen zyrtare, KLGJ ka hapur 17 vende të lira, 6 prej të cilave i takojnë Gjykatës së Lartë dhe 11 të tjera Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit.
Por kandidatët që duhet të aplikojnë për vendet vakante pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë duhet të plotësojnë një sërë kriteresh të përcaktuara në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Së par i kandidati duhet të ketë ushtruar funksionin e gjyqtarit minimalisht 7 vjet, nga të cilat 5 vjet duhet ti ketë eksperiencë si gjyqtar në fushën e drejtësisë kriminale, ku përfshihet edhe përvojën si magjistrat i komanduar. Një tjetër kriter bazë që duhet të plotësohet është se kandidati duhet të pranojë kontrollin periodik të llogarive bankare dhe të telekomunikimeve vetjake. Po ashtu, kandidati duhet të ketë kaluar me sukses procesin e vetingut, pra kontrollin e pasurisë dhe pastërtisë së figurës. Një tjetër kriter është se kandidati nuk duhet të ketë asnjë masë disiplinore në fuqi nga momenti i aplikimit.
Të njëjtat kritere duhet të plotësojnë edhe kandidatët që do të aplikojnë për vendet vakante në Gjykatën e Posaçme të Apelit. “Kandidati duhet të ketë ushtruar funksionin jo më pak se dhjetë vjet si gjyqtar, nga të cilat të paktën pesë vjet si gjyqtar për çështjet penale; Kandidati duhet të japë pëlqimin (ai edhe familjarët e afërm) për kontrollin periodik të llogarive bankare dhe të telekomunikimeve vetjake, sipas Ligjit nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për te luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”; Kandidati duhet të kalojë me sukses procesin e verifikimit të pasurisë dhe të figurës, sipas Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe Vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor nr. 75, datë 23.05.2019, “Për procedurën e verifikimit të kushteve dhe kritereve për rekrutimin e kandidatëve për gjyqtarë, për zhvillimin e karrierës së gjyqtarëve dhe për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë”; Kandidati duhet të mos ketë masë disiplinore në fuqi; Kandidati duhet të mos jetë në situatën e papajtueshmërisë ambientale”, thuhet në njoftimin e KLGJ.
Ndërsa kandidatët për vendet vakante në Gjykatën e Lartë, përveç kushteve të sipërpërmendura, duhet të ketë 13 vite eksperiencë në nivele më të ulëta, nga të cilat të paktën 5 vjet në fushën e së drejtës administrative, duke përfshirë edhe përvojën si magjistrat i komanduar.







































