Arrestimi i pushtetarëve të korruptuar është kushti kryesor për hapjen e negociatave. Agjencia e lajmeve “Reuters” u shpreh sot se në raportin për Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme të BE, theksohet se duhet të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Gazeta “SOT” ka siguruar detaje nga ky raport, ku janë një sërë kushtesh që duhet të plotësojë vendi ynë për muajt në vijim. Me skemën e re të zgjerimit, procesi mund të ndërpritet në çdo kohë, ndërkohë që aty janë aplikuar dhe propozimet e Bundestagut gjerman.
Pas vendimit, do të bëhet një mbledhje mes Shqipërisë dhe BE për të analizuar procesin e reformave. Por një ndër kushtet bazë është lufta ndaj korrupsionit. Nëse nuk ka kundërshti, raporti do të miratohet shumë shpejt dhe më pas do ketë një proces monitorimi për vendin tonë. “Pas shqyrtimit të raportit të azhornuar të Komisionit të 2 Marsit 2020 mbi përparimin e bërë nga Republika e Shqipërisë, Këshilli shprehet që vendi ka demonstruar vendosmëri për të çuar përpara axhendën e reformave të BE dhe ka dhënë rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme, duke përmbushur kushtet e përcaktuara nga Këshilli në Qershorin e 2018-ës për hapjen e negociatave të pranimit në union. Në dritën e progresit të arritur në reforma dhe përmbushjen e kushteve të vendosura në mënyrë unanime nga Këshilli në Qershor 2018, duke iu nënshtruar miratimit nga anëtarët e Këshillit Evropian, vendos të hapë negociatat e pranimit me Republikën e Shqipërisë. Këshilli fton Komisionin të paraqesë një propozim për të krijuar një kornizë për negociatat në përputhje me konkluzionet e Këshillit Evropian të Dhjetorit 2006, duke integruar qasjen e zgjeruar në procesin e pranimit në përputhje me paragrafin 3”, thuhet në raport.
Ajo që bie në sy është se BE kërkon që të goditen pushtetarët e korruptuar sa më shpejt. BE duket se ja ka bërë të qartë Prokurorisë së Posaçme se duhet të lëvizë. “Këshilli merr parasysh qëllimin e Komisionit për të filluar punën e nevojshme përgatitore menjëherë. Konferenca e parë ndërqeveritare duhet të mblidhet sa më shpejt që të jetë e mundur pas miratimit të kornizës së bisedimeve nga Këshilli. Para konferencës së parë ndërqeveritare, Shqipëria duhet të miratojë reformën zgjedhore plotësisht në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR, duke siguruar financim transparent të partive politike dhe fushatave elektorale; të sigurojë zbatimin e vazhdueshëm të reformës gjyqësore, duke përfshirë sigurimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke marrë parasysh ekspertizën përkatëse ndërkombëtare, përfshirë mendimet e zbatueshme të Komisionit të Venecias; të përfundojë krijimin e strukturave të specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shqipëria gjithashtu duhet të forcojë luftën kundër korrupsionit në nivele të larta brenda konferencës ndërqeveritare”, thuhet më tej.
Ashtu si Bundestagu gjerman, edhe BE kërkon ndjekje penale për gjyqtarët dhe prokurorët që kanë ngelur në veting. Po ashtu kërkohet të bëhet kujdes me kërkesat për azil në vendet e BE. “Korniza e bisedimeve do të miratohet nga Këshilli dhe duhet të reflektojë se Shqipëria ka adresuar me sukses pesë prioritetet kryesore, siç është: Fillimi i hetimeve kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të ngelur në veting; Fillimin i hetimeve kundër atyre që akuzohen për blerje votash; Kërkohet një rekord i kënaqshëm në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë hetimet e para kundër zyrtarëve nivelit të lartë publik dhe politikanëve”, thuhet më tej.
Kushtet që duhet të plotësohen brenda pranverës
1. Miratimi i reformës zgjedhore sipas kushteve të ODIHR dhe hetimi i të akuzuarve për blerje votash
2. Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë
3. Të përfundojë ngritja e BKH dhe SPAK
4. Të luftohet korrupsioni në nivele të larta, përfshirë politikanë
5. Të hetohen gjyqtarët dhe prokurorët e ngelur në veting










































