Katër anëtarët e një familjeje në Vlorë rezultuan të infektuar me koronavirus. Djali 24-vjeçar, një 69-vjeçar, gruaja 50-vjeçe dhe gjyshja 77-vjeçare u transportuan menjëherë drejt Tiranës.
Dyshohet se ata janë infektuar nga djali tjetër i familjes që mbërriti nga Bergamo e Italisë në datën 8 mars, dhe më pas u largua sërish drejt Gjermanisë.
Por sipas raportimeve, djali në Gjermani është në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa besohet se ai është bartësi i koronavirusit, por nuk ka asnjë simptomë.
“Kemi pasur gjyshen 77-vjeçare me ftohje, gjendje që e kalon çdo vit. Na u shqetësuam dhe donim ta çonim te një mjek. Për këtë, dje pasdite telefonuam urgjencën kombëtare, e cila na thotë që të kontaktonim mjekun e familjes. Morëm policinë që të kërkonim leje për të lëvizur, por nuk na dhanë. Kontaktuam sërish me 127 dhe ata erdhën në shtëpi dhe na bënë analizat dhe na dhanë urdhër për të shkuar në Tiranë. Ne të gjithë kemi bërë testet, por përgjigjet akoma nuk kanë ardhur. Ne nuk kemi asnjë shqetësim, përveç gjyshes, e cila është sëmurë”, tha ai për Ora News.






































