Katër anëtarët e një familjeje në Vlorë rezultuan të infektuar me koronavirus. Djali 24-vjeçar, një 69-vjeçar, gruaja 50-vjeçe dhe gjyshja 77-vjeçare u transportuan menjëherë drejt Tiranës.
Dyshohet se ata janë infektuar nga djali tjetër i familjes që mbërriti nga Bergamo e Italisë në datën 8 mars, dhe më pas u largua sërish drejt Gjermanisë.
Por sipas raportimeve, djali në Gjermani është në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa besohet se ai është bartësi i koronavirusit, por nuk ka asnjë simptomë.
Ndërsa dyshohet se babai 69 vjeçar edhe mund të mos e ketë marrë virusin nga i biri, pasi ka patur shenja kolle edhe para se të takohej me djalin.
Kjo do të shihet hap pas hapi nga autoritetet mjekësore.
Ndërkohë bëhet e ditur se 69 vjeçari është një shitës ambulant në Vlorë, i cili shiste buke më qofte me një karrocë nëpër Vlorë, ndërsa i ka thënë autoriteteve se pas datës 10 mars nuk ka dalë më për të shitur.
Nuk dihet nëse 69 vjeçari e ka patur virusin deri në datën 10 mars, apo nëse po gënjen autoritetet që nuk ka dalë për të shitur, por kjo situatë ka përhapur panik te qytetarët vlonjatë, të cilët ndihen të tmerruar për faktin se zotëria ka lëvizur në të gjithë Vlorën, dhe mbase mund të ketë infektuar persona të tjerë, të cilët do të ishte shumë e vështirë të identifikoheshin.








































