Italianët kanë treguar se nuk janë ndërgjegjësuar për situatën e rëndë të krijuar nga koronavirusi, që po infekton me mijëra në ditë dhe po merr jetën e qindra personave.
Në këtë mënyrë, autoritetet vendosën të marrin masa më drastike. Italia ka gati 20.000 ushtarë në dispozicion për menaxhimin e emergjencës së koronavirusit, deklaroi ministri italian i Mbrojtjes, Lorenzo Guerini.
”Konfirmoj disponueshmërinë e plotë për përdorimin e ushtrisë së përfshirë në programin ‘Rrugë të sigurta’ për menaxhimin e emergjencës së koronavirusit. Forcat e Armatosura janë të gatshme të bëjnë pjesën e tyre, si në frontin shëndetësor, ashtu edhe në kontrollin e territorit”, deklaroi ai.
”Ku dhe si do të qëndrojë ushtria do të vendoset nga prefektët”, deklaroi nga ana e saj ministrja e Brendshme e Italisë, Luciana Lamorgese.
”Ne duhet të plotësojmë të gjitha nevojat. Për momentin, kontingjenti prej 7300 trupash do të përdoret në rrugë, por nëse kjo nuk do të mjaftojë, ka të paktën 13.000 ushtarë të tjerë në dispozicion”, theksoi ajo.
Ndërkohë, në Milano zbarkuan trupat e parë, me qindra ushtarë po patrullojnë nëpër rrugë, për të ndërgjegjësuar të pabindurit.






































