Zbardhen detaje të reja për operacionin e mëngjesit të sotëm, ku u arrestuan dy vëllezërit Çala, të akuzuar për supergrabitjen e rreth një viti më parë në aeroportin e Rinasit. Burime policore thanë për gazetën “SOT”, se në vilën ku u kapën dy vëllezërit janë gjetur dhe një sasi e konsiderueshme eurosh.
Burimet thanë se janë rreth 150-200 mijë euro që janë gjetur në vilën në Qerret ku fshiheshin dy të rinjtë nga Elbasani. Paratë dyshohet se janë ato që u grabitën në Rinas. Policia vazhdon kontrollet në zonë pasi ka dyshime se aty fshihen dhe sasi të tjera parash që u vodhën në 9 prill të vitit 2019 në Rinas.
Në operacionin për arrestimin e dy vëllezërve u përfshinë rreth 300 forca policore. “Vëllezërit janë të akuzuar për një sërë grabitjesh më armë dhe dhunë në zonën e Rinasit dhe në aeroportin e Rinasit”, informoi policia e shtetit. Operacioni u krye nga Departamenti i Policisë Kriminale, Forca e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, njësia speciale FAST Albania, RENEA dhe Drejtoritë Vendore te Policisë Durrës, Tiranë e Elbasan. Gjithashtu gjatë këtij operacioni janë sekuestruar edhe armë zjarri e municione.
Vëllezërit Çala janë arrestuar në një shtëpi në Golem, të cilën ata e kishin marrë me qira. Gjatë operacionit janë sekuestruar një numër i madh armësh si edhe sasia e madhe e parave, të cilat besohet se janë pjesë e parave të grabitura në Rinas. Klement dhe Eldi Çala janë dy vëllezërit e shpallur në kërkim për grabitjen e 5 milionë eurove në Rinas, sëbashku me Talo Çelën, i dyshuar si bashkëpunëtor në krim.
Ndaj tyre Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar në mungesë masën “arrest me burg” për akuzat “Vrasja e punonjësit të Policisë”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë kryer në bashkëpunim”, “Grup i strukturuar kriminal”. Për arrestimin e tyre Policia e shtetit kishte ofruar një shpërblim prej 10 mijë eurosh për këdo që jep informacion me qëllim kapjen e tyre.
Në Korrik dy vëllezërve me vendim gjykate iu bllokua pasuria prej 500 mije euro. Operacioni u përshëndet edhe nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili në një postim në Twitter thotë se laku ndaj bandës së rrezikshme të Rinasit është afruar sot drejt mbylljes së plotë.






































