Gjyqtarët në vend pritet t’i nënshtrohen një kontrolli të rreptë nga ana e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Vetingu po avancon, por ka shumë nga ata që nuk janë futur ende në proces rivlerësimi. KLGJ është institucioni që do të mbajë në kontroll sistemin, ndërsa gazeta ka siguruar detaje se si do të bëhet verifikimi i punës së gjyqtarëve. KLGJ ka hartuar një formular, i siguruar nga gazeta, i cili tregon hapat që do të ndiqen për të bërë vlerësimin e punës së një gjyqtari. Ajo që bie në sy është të gjitha gjyqtarët do të jenë në dorë të kryetarëve të gjykatave, pasi do të jenë këta të fundit që do të flasin për ta. “Gjyqtari plotëson formularin e vlerësimit, në rubrikat përkatëse të caktuara për të dhe ia dorëzon kryetarit të gjykatës ku gjyqtari ka ushtruar funksionin gjatë periudhës së vlerësimit, brenda 3 javëve nga marrja e njoftimit të vendimit të Këshillit për fillimin e procesit të vlerësimit etiko-profesional. Kryetari i gjykatës ku gjyqtari ka ushtruar detyrën gjatë periudhës së vlerësimit, jep mendimin paraprak, duke plotësuar rubrikën e këtij formulari të emërtuar “Mendimi paraprak i Kryetarit” dhe ia njofton atë gjyqtarit, jo më vonë se katër javë nga data e marrjes së njoftimit për fillimin e procesit të vlerësimit etiko-profesional. Brenda tre ditëve nga njoftimi i mendimit paraprak, gjyqtari mund të ushtrojë të drejtën për t’u dëgjuar dhe paraqet kërkesë për zhvillimin e një takimi me kryetarin”, thuhet në raport. Sipas KLGJ, kryetari vlerëson aftësitë organizative të gjyqtarit duke përzgjedhur shkallën e aftësisë për çdo tregues vlerësimi, mbi bazën e analizës së të dhënave statistikore të veprimtarisë së gjyqtarit, duke i krahasuar ato me treguesit mesatarë statistikore të gjykatës, për të njëjtën kategori çështjesh, brenda të njëjtit seksion (nëse gjykata ka pasur të tillë), në të
njëjtën periudhë kohore. Po ashtu, kryetari jep mendim për treguesin “rendimenti i përfundimit të çështjeve gjyqësore”, duke bërë krahasimin e rendimentit të gjyqtarit, me treguesin mesatar statistikor të gjykatës për këtë tregues gjatë periudhës së vlerësimit (rendimentin e përfundimit të
çështjeve në gjykatë), si dhe krahasimin e numrit total të çështjeve që ka gjykuar ky gjyqtar me numrin e përgjithshëm të çështjeve të gjykuara në gjykatë. Kryetari jep mendim për shkallën e aftësisë së gjyqtarit në shmangien e seancave gjyqësore joproduktive duke bërë krahasimin jo vetëm me treguesin mesatar statistikor të gjykatës për numrin mesatar të seancave gjyqësore sipas kategorisë së çështjes, por dhe në referim të përqindjes totale të çështjeve të përfunduara nga gjyqtari brenda afatit ligjor dhe standardit minimal. Kryetari jep mendim edhe për shkallën e aftësisë së gjyqtarit në organizimin e procesit gjyqësor, bazuar në të dhëna objektivisht të konstatuara prej tij, pa qenë i nevojshëm hulumtimi mbi çdo dosje gjyqësore të gjyqtarit.









































