Procedurat për zgjedhjen e drejtuesit të BKH-së janë bllokuar të paktën deri në datën 3 prill. Shkak për këtë bllokim është bërë situata e krijuar në mbarë botën për përhapjen e pandemisë. Burime i thanë gazetës se katër kandidatët që do të “luftojnë” për marrjen e drejtimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit do të kalojnë në skanerin për justifikimin e pasurisë. Komisioni Përzgjedhës ka marrë deklarimet e pasurisë së 4 zyrtarëve, ku ai që nuk justifikon pasurinë do të përjashtohet me njëherë nga gara. Nëse kandidatët Aida Veizaj, Artur Beu, Ervin Hodaj dhe Idajet Faskaj do të dalin të pastër atëherë ato do të liston sipas rezultateve që kanë arritur deri tani. Kandidatët për drejtimin e BKH-së u përzgjodhën pas një sërë testimesh, si ai fizik, testi me shkrim, testi i poligrafit, i njohur ndryshe si makina e së vërtetës dhe intervistat indviduale. Por ndërsa testi i poligrafit u konsiderua si risi për integritetin e figurës së kandidatëve të përzgjedhur, të përgjigjet e tij qëndrojnë ende të mbyllura në zarf. Një fakt i tillë u konfirmua nga gazeta “Sot” disa javë më parë edhe nga drejtuesi i SPAK, z. Arben Kraja, i cili tha se komisioni përzgjedhës ka vendosur që të mos japë informacion në lidhje me përgjigjet e poligrafit, ose siç quhet ndryshme makina e së vërtetës. Ligji parashikon që rezultatet e testit të poligrafit duhet të merren në konsideratë gjatë procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për drejtorin e BKH, kriter i cili është anashkaluar në seleksionimin e kryer deri më tani. Komisioni i Përzgjedhjes, i ngritur për të zgjedhur drejtorin e BKH-së përbëhet nga drejtuesi i SPAK, Arben Kraja dhe dy prokurorët Behar Dibra dhe Ened Nakuçi. Shtyrja për zgjedhjen e drejtuesit të SPAK, do të çojë edhe në shtyrjen e ngritjes së këtij institucioni, pasi pas zgjedhjes së drejtorit do të bëhet zgjedhja e 60 Oficerëve të Policisë Gjyqësore, të cilët do të jenë pjesë e BKH.











































