Qeveria dhe Presidenca duket se kanë gjetur qetësinë. Koronavirusi ka ulur dozën e sulmeve dhe akuzave mes kryeministrit e presidentit. Por përveç kësaj, duket se kemi një paqe edhe në aspektin zyrtar. Mazhoranca ka nisur një proces shkarkimi ndaj presidentit, i cili me gjasë do shtyhet për shkak të situatës, ku pjesë e objektit hetimor është bërë dhe emërimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Presidenti dekretoi Marsida Xhaferllarin si anëtare të Kushtetueses, por u kundërshtua nga mazhoranca, e cila pretendon se presidentit i skadoi afati i emërimeve dhe quhej e emëruar Arta Vorpsi. Por pavarësisht këtyre pretendimeve, në letër për mazhorancën Xhaferllari është anëtare e Kushtetueses. Gazeta ka siguruar raportin e Këshillit të Ministrave për integrimin Europian, i cili ka shkuar në Kuvend si dhe në Bruksel. Në kapitullin për reformën në drejtësi jepen detaje dhe për Kushtetuesen, ku theksohet se janë 4 anëtarë të zgjedhur. Kryeministria nuk e përmend konfliktin, por përmend vetëm shkarkimin e zotit Besnik Muçi. “Gjatë periudhës tetor – nëntor 2019 u zgjodhën 4 anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese. Znj Fiona Papajorgji, Znj. Elsa Toska, Z. Besnik Muçi dhe Znj. Marsida Xhaferllari u betuan para Presidentit të Republikës më 14 nëntor 2019. Ndërkohë, më datë 22 nëntor 2019, gjyqtari i sapo emëruar, Z. Besnik Muçi u shkarkua nga detyra me vendim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i cili solli një përfundim të parakohshëm të mandatit të tij dhe gjithashtu një “Vakancë të Parakohshme” në Gjykatën Kushtetuese. Në këto rrethana, Presidenti i Republikës së Shqipërisë nxori një dekret për fillimin e procedurës të aplikimit për një vend vakant në Gjykatën Kushtetuese. Pas përfundimit të afatit të aplikimit, kjo listë e kandidatëve do t’i paraqitet Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për verifikimin dhe vlerësimin e kandidatëve”, thuhet në raport. Teksa kemi komisionin e Venecias që në një farë mënyre i ka dhënë të drejtë Metës, duket se dhe Kryeministria është bindur në një farë mënyre, duke mos u marrë më me këtë debat









































