Mali i Zi është i vetmi vend në Ballkan dhe Europë ku nuk ka raste të regjistruara të koronavirusit. Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Shëndetit Publik, 638 persona janë nën mbikëqyrje.
Pavarësisht se nuk ka asnjë rast të konfirmuar, qeveria malazeze ka marrë masa të rrepta, duke ndaluar takimet publike, vizitat në spitale dhe burgje.
Qeveria e Malit të Zi ka marrë gjithashtu një vendim për mbajtjen e distancës sociale, mësimi në shkolla është pezulluar, restorantet dhe kafenetë janë të mbyllura, dhe në të gjitha objektet, pavarësisht nga sipërfaqja, nuk lejohet të ketë më shumë se 50 konsumatorë në të njëjtën kohë.
Gjithashtu, trafiku ajror, hekurudhor i pasagjerëve dhe trafiku rrugor ndërkombëtar u pezullua përkohësisht, raporton “Vjesti.me”, transmeton “Zeri.info”.
Për javë të tëra, tragetet nuk kanë mundur të hyjnë në portet malazeze.
Në rrjetet sociale shihen fotografitë ku rrugët janë boshe dhe radhë të gjata para supermarketeve.
“Sigurimi lejon konsumatorët brenda në përputhje me rekomandimet për numrin e njerëzve të lejuar. Sidoqoftë, është e diskutueshme që radhët para dyqaneve janë të mëdha, dhe kjo nuk respekton vendimin për ndalimin e tubimit “, shkruan e përditshmja malazeze “Vjesti”.
Zëvendëskryeministri Milutin Simoviç tha se Qeveria po merr masat më të larta dhe maksimale paraprake për të shmangur shfaqjen e koronavirusit në Mal të Zi për sa kohë të jetë e mundur.
“Ne jemi dëshmitarë se shumë vende ishin vonë në veprimet e tyre, duke rezultuar në një përhapje masive të epidemisë. Ne nuk duhet të bëjmë një gabim të tillë dhe kjo është arsyeja pse ne veprojmë”, tha Simoviç.