Po kthehen ne atdhe 22 shqiptaret e bllokuar ne autobusin qe vinte nga Belgjika dhe kthehej në Shqipëri, por që për shkak të bllokimit të kufijve nga koronavirusi nuk u lejua te lëvizte në kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë.
“Në vijim të informacioneve të publikuara lidhur me situatën në Serbi, bëhet me dije se mbrëmë rreth orës 21.30 ambasada e Republikës së Shqipërisë në Serbi, u njoftua nëpërmjet numrit të telefonit të urgjencës së ambasadës për një grup bashkatdhetarësh të bllokuar në kufirin midis Hungarisë dhe Serbisë, Roskë-Horgosh.
Bëhej fjalë për një autobus që vinte nga Belgjika dhe kthehej në Shqipëri, në të cilin ndodheshin 22 persona, kryesisht gra.
Me të marrë njoftimin, ambasada veproi duke ndjekur procedurën e përcaktuar nga autoritetet kompetente serbe, MPJ dhe Ministria e Punëve të Brendshme, prej gjendjes së jashtëzakonshme në vend.
“Falë bashkëpunimit të shpejtë dhe efikas, autobusi mundi të hyjë në Republikën e Serbisë dhe të marrë rrugën e kthimit në atdhe. Ju bëjmë me dije, se Përfaqësitë e Republikës së Shqipërisë në botë, janë në gjendje gatishmërie 24 orë për t’ju përgjigjur të gjitha kërkesave të qytetarëve shqiptarë”, thotë MPJ.









































